Arbnor Muja rikthehet te goli, gjen rrugën e rrjetës në javën e fundit të Superligës

Sulmuesi shqiptar Arbnor Muja ka mbyllur sezonin 2024/25 me një paraqitje të shkëlqyer te ekipi i Samsunspor, duke shënuar golin e fitores në minutën e 90+8 ndaj Kayserispor.
Goli i tij në momentet e fundit të ndeshjes i dha skuadrës tre pikët e rëndësishme dhe hipotekoi vendin e tretë në Superligën turke.
Me këtë fitore, Samsunspor ka grumbulluar 64 pikë, duke ruajtur një avantazh prej dy pikësh ndaj rivalëve të Besiktasit, ku luajnë edhe shqiptarët Ernest Muçi dhe Milot Rashica.
Ky ishte goli i tretë i Arbnor Mujës në kampionatin turk, duke dëshmuar një përmirësim të dukshëm në efikasitetin e tij, ndryshe nga periudha në Belgjikë me Royal Antwerp, ku nuk shkëlqeu në aspektin e golave.
Arbnor Muja është i lidhur me Samsunspor deri në verën e vitit 2027, ndërsa vlera e tij në treg vlerësohet rreth 3.5 milionë euro, duke e bërë atë një prej futbollistëve më të çmuar shqiptarë në Superligën turke.