Apeli nuk pranon kërkesën e Ben Qimes, e do pas hekurave për kërcënimin me jetë të gjyqtarit në Fier

Arben Isufaj, i njohur si Ben Qimja, do të vazhdojë të jetë i shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila ka refuzuar kërkesën e tij për shfuqizimin e masë së sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet se kërcënuar me jetë një gjyqtar në Fier.
Gjyqtari Vladimir Cjapi është marrë mbrojtje të posaçme për një periudhë 6 mujore pas kërcënimeve që ka marrë nga Arben Isufaj, në muajin Shkurt 2025.
Mbi 55 vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ka qenë noteri Arben Tahiraj, i cili është mik me gjyqtarin Vladimir Cjapi, që ka treguar në polici gjithë ngjarjen.
Arben Isufaj është shpallur në kërkim për këto dy akuza, por nuk është gjetur në shtëpi gjatë bastisjes së Policisë, ndërkohë që gjykata ka caktuar për të masën paraprake të sigurisë “Arrest në burg”, që Isufaj është përpjekur ta rrëzojë në Apelin e Tiranës por më kot.
“Pasi i thashë që e njoh Ladin dhe e kam shok, Arben Isufaj mu drejtua menjëherë me fjalët kërcënuese: ‘Do tju vras të dyve’. Në këtë moment unë e pyeta; “Përse?’. Por ai më tha: ‘Ju më keni përmendur mua dhe nipat e mi’.
Në këtë moment ai u kthye nga unë duke më thënë që t’i bëj me dije Ladit që: ‘Do ta vras, do ta zhduk, do i vras fëmijët. Nuk kam dashur të vete te gjykata se do ta degjeneroja atje. S’dua tja di për njeri kush është Ladi’. Unë i thashë që:‘Nuk të ka përmendur dhe s’kam punë me ty’.Por ai vazhdoi të më thoshte që: ‘Ke qenë në një tavolinë me të, kur më ka përmendur’”, ka treguar Tahiraj.
Arben Isufaj i njohur ndryshe si “Ben Qimja” u lirua në vitin 2015 nga burgu. Gjykata e Fierit, atëkohë liroi nga akuzat Ben Qimen duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Ai konsiderohej si një ndër personat më të kërkuar të Policisë italiane, ndërsa u arrestua në Shqipëri në vitin 2014, por kërkesa e tij për ekstradim u rrëzua. Ai është akuzuar gjithashtu nga Prokuroria për një vrasje të ndodhur në vitin 2002, por që nuk është provuar në Gjykatë.
Në maj të 2023, Gjykata e Posaçme konfiskoi 11 pasuri Arben Isufajt. Për llogari të shtetit kaluan: një pulari, kapitalet e shoqërisë “Akili ALB SHPK”, sipërfaqe toke dhe truall si dhe gjashtë automjete. Këto pasuri janë në Fier dhe janë vendosur me të ardhura nga trafiku i drogës.