
Zgjedhjet që këtë javë u mbajtën në Izrael nuk prodhuan një fitues të qartë për të formuar Qeverinë. Benjamin Netanyahu mbetet në postin e kryeministrit në detyrë, por përballet me një Parlament ku opozita synon që ta rrëzojë atë nga pushteti.
Më poshtë mund të lexoni disa nga skenarët që mund të ndodhin pas zgjedhjeve në Izrael:
Zgjedhje të reja
Pasi të publikohen zyrtarisht rezultatet përfundimtare javën e ardhshme, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, nis konsultimet me përfaqësuesit partiakë dhe më pas me kandidatët që ai vlerëson se mund të kenë shanset më të mira për të formuar Qeverinë.
Nëse kandidati dështon ta formojë ekzekutivin, një tjetër mund ta provojë dhe nëse ai dështon, Knasset-i apo Parlamenti izraelit mund ta nominojë një kandidat tjetër. Afati për këtë proces është rreth 100 ditë. Nëse asnjë kandidat nuk arrin ta formojë Qeverinë, atëherë mbahen zgjedhjet e reja.
Të mërkurën, Herzog tha se duhet të bëhet gjithçka për të shmangur zgjedhjet e reja dhe u bëri thirrje partive që të shkojnë në konsultime me të me mendje të hapur.
Qeveri e unitetit
Partia Likud e Netanyahut, që pritet të jetë partia më e madhe në Knesset, mund të formojë një koalicion që me gjasë do të përfshinte parti opozitare të qendrës dhe të djathtës, si Yashar e Gadi Eisenkotit, që partia e dytë më e madhe, Izraeli është Shtëpia Jonë e Avigdor Liebermanit dhe fraksioni Së Bashku e Naftali Bennettit.
Ky grupim do të siguronte 66 mandate, pra shumicën në Parlamentin me 120 deputetë.
Megjithatë, kjo mundësi për momentin duket se ka pak gjasa të ndodhë, pasi do të nënkuptonte që Netanyahu do të duhej të braktiste aleatët e tij të natyrshëm politikë, partitë e ekstremit të djathtë dhe partitë ultra-ortodokse hebraike. Për më tepër, partitë opozitare do të duhej ta shkelnin premtimin e tyre kryesor të bërë gjatë fushatës zgjedhore: largimin e Netanyahut nga pushteti.
Megjithatë, nëse asnjëri kamp nuk arrin të formojë një qeveri pas javësh negociatash, një qeveri e unitetit mund të shfaqet si mundësia e fundit.
Rifillimi i luftimeve me Iranin ose me aktorë të tjerë mund t’i afrojë po ashtu palët.
Qeveri e pakicës e formuar nga Eisenkoti
Nëse presidenti Herzog e mandaton së pari Eisenkotin, ai mund të tentojë ta formojë një ekzekutiv me aleatët e natyrshëm të Yasharit, Së Bashku, Demokratët dhe Izraeli Shtëpia Jonë, me mbështetjen e dy partive arabe të Izraelit edhe nëse ato nuk bëhen pjesë e Qeverisë, përkatësisht me partitë arabe Ra’am dhe Lista e Përbashkët.
Sipas numërimit më të fundit të votave, kampi i Eisenkotit do të kishte 48 mandate, ndërsa partitë arabe do të kishin 19 mandate, duke arritur së bashku shumicën prej 67 vendesh në Parlament.
Megjithatë, edhe nëse Eisenkot e shkel premtimin e tij zgjedhor për të mos përfshirë partitë arabe në ekzekutiv dhe e pranon mbështetjen e tyre, bindja e shumë izraelitëve do të jetë e vështirë, pasi qëndrimet e tyre ndaj pakicës arabe të Izraelit janë ashpërsuar edhe më shumë që nga sulmi i Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.
Netanyahu e ka përqendruar fushatën e tij në delegjitimimin e mbështetjes nga partitë arabe, të cilat shënuan rezultate rekord në zgjedhjet e së martës. Deri tani, vetëm Demokratët, që është një parti e qendrës së majtë, ka bërë thirrje publikisht për përfshirjen e tyre.
Të dyja partitë arabe kanë sinjalizuar se janë të gatshme të bashkëpunojnë me kampin e Eisenkotit.
Ra’am iu bashkua Qeverisë së Bennettit në vitin 2021, duke shënuar për herë të parë që një parti e pavarur arabe u bë pjesë e një koalicioni qeverisës në Izrael. Qeveria e formuar nga Bennetti ishte rrëzuar pas 18 muajsh.
Netanyahu arrin të krijojë shumicën për një Qeveri të krahut të djathtë
Koalicioni i Netanyahut ka rënë nga 64 mandate sa kishte fillimisht në 53, sipas rezultateve më të fundit të zgjedhjeve. Megjithatë, Netanyahu, udhëheqësi më jetëgjatë në Izrael, konsiderohet një nga politikanët më të aftë të vendit dhe mund ta përçajë opozitën duke bindur disa anëtarë të partive të saj të largohen dhe t’i bashkohen kampit të tij.
Ai ia ka arritur ta bëjë këtë edhe më parë, përfshirë periudhën para zgjedhjeve të vitit 2022, të cilat i fitoi si lider i opozitës. Por, koalicioni me të cilin po përballej atëherë kishte një epërsi shumë më të ngushtë dhe atij nuk i nevojiteshin shumë deputetë që të kalonin në anën e tij për t’i destabilizuar rivalët politikë./ Reuters
starnews.al
