AMP arreston një punonjës policie dhe pezullon nga detyra dy të tjerë
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie dhe ka pezulluar nga puna dy të tjerë.
AMP ka arrestuar Inspektorin S. K., punonjës i policisë kufitare në DVKM Gjirokastër, pasi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Punonjësi i policisë gjatë drejtimit të mjetit tip “Seat”, është përplasur me një automjet tjetër ku si pasojë kanë mbetur të dëmtuar pasagjerët e mjetit Opel, shtetasja A. R. dhe shtetasi i mitur G. R., të cilët pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore janë larguar për në banesë dhe ndodhen jashtë rrezikut. Nga verifikimi me testin matës të alkolit rezultoi pozitiv.
Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka caktuar masat e sigurisë me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për 2 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Inspektor L. K., me detyrë Ndihmës Kontrollor në P.K.K. Kakavijë,
Inspektor O. B., me detyrë Ndihmës Kontrollor në P.K.K. Kakavijë
Nga hetimet e thelluara dhe intensive nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, u bë i mundur dokumentimi dhe sigurimi i provave mbi dyshimet se këta punonjës policie kishin lejuar kalimin në territorin e Republikës së Shqipërisë të automjetit të markës “Toyota Avensis” pa dokumentacionin përkatës, duke mos ndjekur procedurat ligjore me qëllim trafikimin.