Aktualitet dhe Lajme

Alizoti: Unë kam bërë shumë gabime, ja kur do të nisë analiza e brendshme në PD

Share

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, teksa ishte i ftuar në studion e News24, foli për situatën politike pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, si dhe për gabimet e PD-së gjatë procesit.

Alizoti u shpreh se vetë ka bërë shumë gabime personale, duke theksuar se edhe PD-ja ka defektet e saj.

Megjithatë, sipas tij, sistemi aktual politik dhe zgjedhor është i tillë që zgjedhje të ndershme nuk mund të zhvillohen.

“Me këtë sistem që është ndërtuar, nuk ka zgjedhje. Nuk është vetëm kodi zgjedhor, por është një armatë e pushtetit që e bën të pamundur fitoren kudo”, tha ai.

Deputeti demokrat theksoi rëndësinë e ruajtjes së demokracisë nga shteti dhe populli, duke paralajmëruar se nëse nuk mbahet ky ekuilibër, demokracia është shumë e brishtë dhe thyhet shpejt.

Në lidhje me analizën e brendshme në PD, Alizoti tha se ajo do të bëhet pasi strukturat e partisë të vendosin dhe pasi të përfundojnë denoncimet për zgjedhjet.

Jam dakord që të presim përfundimin e procesit të denoncimeve dhe më pas do të vijë koha për reflektim dhe analizë”, përfundoi ai.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button