Akuzohet se është burrë, volejbollistja shpërthen në lot në Top Story: Jam femër 100%, më shkatërruan jetën

Share

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë që në sportin shqiptar, qoftë edhe sportistë të huaj, të diskutohej, dyshohej, t’i kërkohej e jo më të pezullohej për mungesë të testit të gjinisë.

Por këtë herë është volejbolli i femrave, braziliania e Dinamos Nayara Ferreira, që është dyshuar dhe i është kërkuar të vërtetojë gjininë e saj femërore nëpërmjet analizës së gjakut.

Dyshimet? Thjesht biseda korridoresh. Dhe kaq ka mjaftuar që sportistja braziliane, përveçse të izolohet në shtëpi prej më shumë se një jave, të pësojë një shok psikologjik që na u desh shumë kohë për ta vënë nën kontroll, që ajo të bënte këtë rrëfim ekskluziv për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, intervistë e cila u transmetua në Top Story.

Intervista e plotë:

Gazetari: Po thua se nuk je në një situatë shumë normale. Mund të na tregosh më shumë rreth kësaj?

Nayara Ferreira: Do të flas portugalisht, sepse është më e lehtë për mua të shpreh atë që ndiej dhe gjithçka që po ndodh. Kjo është një situatë shumë e vështirë për mua. Është hera e parë që përjetoj diçka të tillë në gjithë karrierën time. Luaj volejboll që nga mosha 12-vjeçare.

Gazetari: Ti je e fortë.

Nayara Ferreira: Jam larg familjes. Mendoj se të gjitha volejbollistet do ta kuptojnë atë që do të them tani. Jam larg familjes dhe më duhet ta përballoj këtë situatë e vetme, pa përkrahjen e tyre, pa i pasur pranë njerëzit që dua. Është shumë e vështirë për mua ta përjetoj gjithë këtë. Ashtu siç edhe ti e the, jeta ime është private. Jam nga ato persona që i bëjnë gjërat offline, pra, i mbaj gjërat për vete. Ajo që po ndodh tani me mua është diskriminim. Nuk e pranoj këtë. Nuk më kanë kthyer përgjigje dhe nuk më kanë dhënë asnjë arsye ligjore pse e bënë këtë. Ata thjesht e bënë. Kur pyeta një zyrtar të federatës – nuk e di as kush ishte – më tha se “është dokument privat dhe nuk mund të ta tregoj”. I thashë: “Ah, qenka private? Çfarë është private për ty në lidhje me jetën time? Pse?” Kështu ndihem unë tani. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Kam luajtur në shumë shtete dhe nuk e di me sa volejbolliste kam luajtur në këtë botë. Tani ndihem e shkatërruar. Kjo ishte ajo që doja të thosha.

Gazetari: Ti je e fortë dhe mund të kthehesh edhe më e fortë.

Nayara Ferreira: Epo, të shohim se çfarë do të ndodhë me jetën time, sepse tani jam në mes të kësaj situate.

Gazetari:Po ti mund të fitosh gjyqin.

Nayara Ferreira: Jam 100% femër, dhe kjo është diçka që nuk kam pse ta shpjegoj. Nuk është e nevojshme t’ju them se jam femër, që kam lindur femër. Ju vetëm keni vënë re si vishem, sa të gjatë i kam flokët, fizikun tim, nëse kam muskuj apo tatuazhe. Vetëm kaq. Ajo që keni bërë është diskriminim. Dhe mendoj se kush diskriminon dikë, e ka të vështirë të flejë i qetë. Kjo është çnjerëzore dhe e papranueshme. Nuk e di si mund të flejë presidenti juaj i federatës në një situatë të tillë. Si mund të flejë ai me këtë në ndërgjegje? Kjo është pyetja ime.

Gazetari: Nuk ke mundur të flesh?

Nayara Ferreira: Nuk kam fjetur, nuk kam ngrënë, nuk kam pirë as ujë. Kështu është jeta ime tani. Prandaj, faleminderit Federatës Shqiptare që ma bëtë këtë. Shumë faleminderit!

Gazetari: Ka njerëz që e mbështesin publikisht opinionin tënd.

Nayara Ferreira: Po, kam disa njerëz pranë që më mbështesin dhe që besojnë se e vërteta është në anën time.

Gazetari: E di që mendimi dhe opinioni publik janë me ty? Duhet ta dish këtë.

Nayara Ferreira: E di shumë mirë, por nuk është e lehtë. E vërteta do të dalë në dritë dhe unë nuk i druhem kësaj. Nuk kam frikë. Kjo ishte ajo që doja të thosha dhe kaq.


Start News

Reklama
Back to top button