Aktualitet dhe Lajme

Aksioni për pastrimin e hapësirave publike! Kishin zënë vendin me blloqe betoni, arrestohet 67-vjeçari, procedohet i biri

Share

Ditën e sotme, në kuadër të operacionit të koordinuar për çlirimin e hapësirave publike, Policia e Shtetit, ka ekzekutuar një urdhër për lirimin e një hapësire publike të zënë në mënyrë të paligjshme nga një familje në rrugën “Ali Demi” në Tiranë.

Hapësira në fjalë ishte bllokuar me beton dhe automjete nga familjarët e një 67-vjeçari i arrestuar një javë më parë.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi B. D., 67-vjeç, dhe djali i tij E. D., 25-vjeç, akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “Falsifikimin e dokumenteve”, “Pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësinë” dhe “Kanosjen”.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Komisariatin Nr. 1 në Tiranë dhe Drejtorinë e Mirëmbajtjes së Trotuareve e Zgarave pranë Bashkisë së Tiranës.

Gjatë ditës së sotme u hoqën blloqet e betonit që kishin zënë rrugën, ndërsa më herët ishin sekuestruar dy automjete që ishin përdorur për të bllokuar hapësirën.

Hetimet kanë zbuluar se babë e bir kishin falsifikuar dokumente në përpjekje për të pretenduar pronësinë mbi territorin publik, të cilin e kishin zënë në mënyrë të përsëritur dhe me konflikt ndaj banorëve të zonës.

Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vijimin e hetimeve.

Autoritetet konfirmojnë vijimin e operacioneve për lirimin e të gjitha hapësirave publike, të zëna në mënyrë të paligjshme në kryeqytet dhe në të gjithë vendin.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button