Aktualitet dhe Lajme

Aksidenti tragjik/ Këta janë 4 të rinjtë që u dogjën në makinë pas përplasjes me betonieren në Fushë-Prezë

Share

Këta janë katër të rinjtë që humbën jetën tragjikisht ditën e sotme, pasi automjeti tip “Mercedes Benz” me të cilin ata udhëtonin, u përplas me një betoniere në aksin rrugor Vorë-Fushë Prezë.

Si pasojë e përplasjes, automjeti është përfshirë nga flakët dhe drejtuesi i makinës Enejdi Laçi, 25-vjeç dhe tre pasagjerët në mjetin e tij, Erildi Laçi, 20-vjeç, Enrikejd Kurti, 24-vjeç dhe Andi Laçi, 22-vjeç, janë djegur brenda mjetit.

Enejdi dhe Erildi Laçi ishin vëllezër, ndërsa Andi Laçi, ishte kushëri me ta. Viktima e katërt Enrikejd Kurti, ishte shok me tre të parët.

Vëllezërit Enejdi Laçi, 25 vjeç dhe Erildi Laçi 20-vjeç

Raportohet se aksidenti është konstatuar nga një patrullë e shërbimit rrugor, i cili ka pikasur automjetin që kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një mjet i tonazhit të rëndë betoniere.

Nga hetimet e kryera, rezultoi se automjeti drejtohej nga 25-vjeçari Enejdi Laçi dhe pas përplasjes së fortë me një betoniere ka shpërthyer në flakë.

Enrikejd Kurti, 24-vjeç

Betonierja e drejtuar nga 24-vjeçari Aleksandër Krrashi, sapo kishte dalë nga pika e betonit rreth 100 metra nga vendngjarja dhe ka hyrë në rrugën kryesore, dhe kur është futur në rrugë ka ecur vetëm 20 metra.

Në këto momente automjeti tip Benz me gaz-benzinë me të cilën udhëtonin të rinjtë, është përplasur me betonieren, duke e goditur nga pas.

Makina e të rinjve ka shpërthyer menjëherë në flake, për shkak se ishte edhe me impiant gazi. Përplasja ishte aq e fortë saqë mjeti është shkatërruar plotësisht.

Andi Laçi, kushëriri i vëllezërve Enejdi dhe Erildi Laçi

Policia po heton nëse betonierja ka pasur sinjale stop nga pas, sepse dyshohet qe të rinjtë nuk kanë parë momentin që betonierja, është futur në rrugë dhe në asfalt nuk ka shenja frenimi.

Po ashtu, po hetohet nëse betonierja ka ndaluar pasi është future në rrugën kryesore apo ka qenë në lëvizje, pasi sapo është future në rrugë ka ecur vetëm 20 metra dhe shpejtësia ka qenë e ulët, ndërsa makina ku po udhëtonin të rinjtë ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara.

Pas përplasjes, mësohet se drejtuesi i betonierës është larguar nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar pak orë më vonë nga policia.

Viktima e aksidentit tragjik po ktheheshin nga aeroporti i Rinasit, kur tre prej të rinjve kishin dalë për të marrë Erild Laçin, i cili kthehej nga Gjermania dhe sapo kanë lënë aeroportin janë nisur për në banesat e tyre në fshatin Borizanë. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button