“Air Albania”, linja ajrore që mban gjallë flamurin shqiptar në qiell

Përtej problematikave të përditshme të udhëtimit ajror, “Air Albania”, po konsolidohet dhe po krijon profilin e saj si kompani kombëtare.
Ajo u prezantua për herë të parë në mars 2017 dhe u themelua zyrtarisht më 16 maj 2018, duke i dhënë Shqipërisë një linjë ajrore të vetën, ashtu si shumica e vendeve të Europës.
Dy vite pas nisjes së operimeve, kompania u përball me sfidën më të madhe globale, pandeminë e COVID-19.
Teksa shumë linja ajrore ndërprenë aktivitetin, “Air Albania”, vijoi të kryente fluturime riatdhesimi për qytetarët shqiptarë dhe transportin e ngarkesave mjekësore.
Pikërisht kjo kompani, solli në Tiranë avionin me dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit, duke u shndërruar në një hallkë jetike të komunikimit me botën.
Deri në vitin 2021, tre avionët e saj, ambasadorët e “Air Albania”: Migjeni, Lasgushi dhe Naimi, vijonin fluturimet, duke u kthyer në simbol të pranisë shqiptare në qiell.
Në shumë prej linjave, kompania ende përfshin në çmim një bagazh të regjistruar dhe ofron vakte të ngrohta gjatë udhëtimit.
Kujdesi ndaj pasagjerëve nuk mbetet vetëm slogan: asistencë për pasagjerët e moshuar ose me probleme shëndetësore, oksigjen kur kërkohet nga ana mjekësore, mbështetje me mirëkuptim për ata që udhëtojnë në raste familjare të dhimbshme dhe trajtim i menjëhershëm i ngarkesave mjekësore urgjente. Janë këto zgjedhje konkrete që dëshmojnë filozofinë e kompanisë.
Më shumë se 300 të rinj shqiptarë, janë trajnuar në fushën e aviacionit falë “Air Albania”-s. Një pjesë e tyre sot janë pjesë e linjave më të mira europiane dhe globale, duke e shndërruar kompaninë në një trampolinë profesionale.
Si kompani me kapital shqiptar, ajo kontribuon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, përmes qindra mijëra transaksioneve bankare dhe fuqizimit të zinxhirit ekonomik vendas.
Në Ballkan, vetëm Serbia ka një kompani tjetër ajrore të suksesshme me kapital 100% shtetëror. Vetëm në vitin 2024, xhiroja e saj arriti në rreth 700 milionë euro dhe ajo mbajti mbi 52% të tregut.
Ky është një shembull që tregon se një linjë ajrore vendase, mund të jetë shumë më tepër sesa një operator transporti: ajo mund të shndërrohet në urë zhvillimi për ngritjen e një Akademie Edukimi dhe Trajnimi, ku të formohen teknikë të lartë, pilotë, ekuipazhe profesionale, duke gjeneruar një ekonomi të re të qëndrueshme dhe të orientuar drejt së ardhmes.
Aviacioni është një industri ku sfidat nuk mungojnë: avionët përballen me defekte teknike, furnizimet shpesh vonohen, moti mbyll aeroportet, ekuipazhet arrijnë kufirin e orareve të punës, ndërsa konkurrenca ul çmimet nga ora në orë. “Air Albania” nuk ka qenë e imunizuar ndaj problemeve dhe kritikave, por gjithsesi ka vijuar të qëndrojë e pranishme në një treg tepër konkurrues.
Mesazhi i saj është i qartë: nëse një biletë përfshin bagazh të regjistruar, një vakt të ngrohtë dhe politika humane për pasagjerët që kanë nevojë për ndihmë shtesë, atëherë diferenca prej disa eurosh nuk është një “ndëshkim”. Përkundrazi, është një zgjedhje për llojin e ekosistemit të udhëtimit që duam të mbështesim dhe të ruajmë.