Aktualitet dhe Lajme

Ahmetaj në RAI 3/ Ergys Agasi, njeriu misterioz që mban lidhjet e Ramës me bosët e mafias

Share

Emisioni “Report” në RAI 3 ka transmetuar pjesën e dytë të dokumentarit për Shqipërinë. Gazetari Giorgio Mottola arriti të intervistonte ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj i cili sipas tij ndodhet në Zvicër pas mandatit të arrestit ndërkombëtar, për të cilin thotë se ka qenë pjesë e rrethit shumë të ngushtë të kryeministrit Edi Rama.

“Në vitin 2013, në qeverisjen e tij të parë ishte në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Në mandatin e dytë të Ramës ai u bë ministër i financave dhe u gradua zëvendëskryeministër në të tretën. Në “Report”, ish-krahu i djathtë denoncon marrëdhëniet e supozuara mes kreut të qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të krimit të organizuar” – citohet në reportazhin e RAI3.

Vetë Ahmetaj thotë se ka qenë i vetmi që ka ngritur në mbledhjen e qeverisë problemin e kanabizimit të vendit, por sipas tij, Edi Rama iu përgjigj se kjo po ndihmonte ekonominë e vendit.

“Unë isha i vetmi që ngrita këtë në një mbledhje qeverie. Si ka mundësi që kanabisi po përhapet dhe qeveria nuk bën asgjë? Çfarë më tha Rama? Sipas tij plantacionet i kishin dhënë një shtysë ekonomisë së vendit. Unë iu përgjigja se si mund të ndodhë kjo? Kolumbia duhet të jetë shteti më i pasur në botë meqë eksporton miliona tonelata me kokainë. Në fakt gjenden keq. Si do të mundet Shqipëria të bëjë ekonomi në këtë mënyrë?” – thotë Ahmetaj gjatë një rregjistrimi të fshehtë të bërë nga “Report”, citon lapsi.al.

Ish-numri “dy” i qeverisë bën akuza të forta edhe për lidhje të Ramës me krimin e organizuar.

“Grupet kriminale marrin tenderë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Është e ditur kjo në Shqipëri. Ndërtojnë, pastrojnë paratë e tyre ndërtim në Shqipëri. Praktikisht shesin drogë në të gjithë Europën dhe pastaj i kalojnë në Shqipëri. Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri – tjetrin.

Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve” – thotë Ahmetaj.

Rai 3 thotë se Ergys Agasi është një biznesmen nga Durrësi, djali i një ish-deputeti socialist, përveç të tjerash pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini.

“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias” – thotë Ahmetaj në rrëfimin për RAI3. ©LAPSI.al

LEXO EDHE: Ahmetaj për Rai3: Rama i priste mafiozët në zyrë!



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button