Abuzim me tendera/ Sot në GJKKO seancë për masat e sigurisë ndaj stafit të UBT, mbërrijnë dy zëvendës rektorët

Këtë të mërkurë, në Gjykatën e Posaçme, do të mbahet seanca për vlerësimin e 24 masave të sigurisë të firmosura ndaj anëtarëve të stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Raportohet se në GJKKO kanë mbërritur dy zëvendës rektorët Ilir Kapaj dhe Romina Koto. SPAK ka lëshuar masat e sigurisë për veprat “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funsione publike”.
Në njoftiin e SPAK, thuhet se janë grumbulluar dhe referuar të dhëna për përfshirjen në veprime korruptive të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, veprime të shtrira në një kohë të gjatë, në procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të procedurave të prokurimeve publike.
SPAK thotë se nga hetimet proaktive me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 lekë.
Prokuroria e Posaçme, shton se gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, Romina Koto, dhe Ilir Kapaj, me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Bejo Bizhga, me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI ka kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, Edmond Tërthorja me detyrë Administrator i UBT-së.)
SPAK thotë se veprimet e kundraligjshme të personave të mësipërm kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Në njoftim thuhet se pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI, kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor në fazën e përgatitjes dhe gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, veprimet e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe specifikimeve teknike apo termave të referencës, të koordinuara në vazhdimësi me veprimet e kundraligjshme të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.