A do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve? Berisha flet pas përfundimit të votimit

Kryedemokrati Sali Berisha ka mbajtur daljen e parë për media pas mbylljes së procesit të votimit në zgjedhjet e kësaj të diele.
Berisha, në fjalën e tij, tha se banditë të Durrësit po përpiqen të tjetërsojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Gjatë konferencës, shefi i opozitës u pyet nëse PD do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve, pyetje për të cilën Berisha nuk dha një përgjigje të prerë. Ai tha se dalja publike ishte për të denoncuar pjesëmarrjen e bandave rreth KZAZ-ve. Berisha shtoi se komisionerët e PD janë instruktuar të mbrojnë çdo votë dhe se përpjekjet për tjetërsimin e saj përmes bandave do të dështojnë.
“Unë jam këtu për të paraqitur përpara jush dhe publikut ato që ndodhin, dhe ne gjatë gjithë ditës kemi dokumentuar të gjitha përpjekjet antiligjore të bëra në të katër anët e vendit. Por të dërgosh banda për të rrethuar KZAZ është një përpjekje flagrante për të ndikuar mbi rezultatin. Por kjo nuk do të ndodhë, pasi komisionerët tanë kanë marrë udhëzime të qarta dhe të prera. Përgjegjësia për të gjitha këto është mbi Edi Ramën,” tha Berisha.