Kufizohen aplikimet për mësuesit, ndryshojnë rregullat e portalit “Mësues për Shqipërinë”

Share

Ministria e Arsimit ka bërë publike ndryshimet e reja ligjore që prekin drejtpërdrejt procedurat e punësimit të mësuesve në arsimin parauniversitar. Përmes një udhëzimi të ri, janë saktësuar rregullat për administrimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”, duke vendosur kufizime të reja gjeografike për kandidatët që aspirojnë të futen në sistemin arsimor.

Aplikimet, të lidhura me vendbanimin

Ndryshimi më i rëndësishëm dhe me ndikim të menjëhershëm për aplikantët lidhet me përzgjedhjen e vendeve të punës. Sipas udhëzimit të ri, kandidatët për mësues do të mund të aplikojnë vetëm në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) ku kanë vendbanimin e tyre të përhershëm.

Brenda këtij rajoni, aplikanti ka të drejtë të përzgjedhë deri në tri Zyra Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) ku dëshiron të punësohet. Kjo masë kufizon mundësinë e mëparshme të aplikimit në qarqe apo rajone të tjera jashtë vendbanimit. Për t’u përshtatur me këtë rregull, udhëzimi saktëson se kandidatët e të gjitha profileve do të trajtohen “brenda të njëjtit DRAP”.

Ndryshime në strukturën e Ministrisë dhe misionin e Portalit

Një tjetër detaj i rëndësishëm që pasqyrohet në këtë dokument zyrtar është ndryshimi i emërtesës së institucionit qendror. Togfjalëshi “Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS)” zëvendësohet në të gjithë bazën ligjore me “Ministria e Arsimit (MA)”, duke reflektuar ndarjen e sportit nga ky dikaster.

Paralelisht, është ripërcaktuar edhe misioni i vetë platformës së punësimit. Portali “Mësues për Shqipërinë” tashmë përkufizohet zyrtarisht si një instrument i krijuar për punësimin e mësuesve “bazuar në meritë, transparencë, shanse të barabarta dhe në planifikimin me efikasitet të burimeve njerëzore”.

Ndryshimet e firmosura me delegim nga zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, kanë hyrë në fuqi dhe ngarkojnë për zbatim të gjitha institucionet arsimore rajonale dhe vendore në vend, si dhe vetë shkollat publike.


Start News

Reklama
Back to top button