Bulqizë: Punonjësit e terrenit të Agjencisë së Funksioneve të Transferueshme do të vazhdojnë të marrin paga minimale

Share

Punonjësit e Agjencisë së Funksioneve të Transferueshme në terren, Burimi: Bashkia Bulqizë, rrjetet sociale.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Bulqizës u miratua struktura e pagave për Agjencinë e Funksioneve të Transferueshme (AFT) për vitin 2026. Sipas dokumenteve zyrtare, brenda AFT-së ka një hendek mes pozicioneve drejtuese dhe punonjësve të vijës së pare në terren.

Administratorët e agjencisë do të paguhen me 141,000 Lekë në muaj, përgjegjësit e sektorëve të lartë me 98,000 Lekë, ndërsa përgjegjësit e sektorëve të mesëm dhe specialistët do të marrin 70,000 Lekë. Punonjësit teknikë dhe zbatues – përfshirë shoferë, bojaxhinj, punonjës pastrimi, saldatorë dhe personel për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore – do të marrin paga mujore nga 40,000 deri në 60,000 Lekë, me një shtesë prej 4,000 Lekësh, që rrit pagën minimale neto në 44,000 Lekë.

Agjencia e Funksioneve të Transferueshme (AFT) ka për detyrë kryesore menaxhimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve publike të përditshme që lidhen me infrastrukturën dhe institucionet vendore. Kjo agjenci u themelua në vitin 2024, duke shkrirë ndërmarrjen e shërbimeve publike. Kjo përfshin mirëmbajtjen e rrugëve, menaxhimin e mbetjeve dhe pastrimin e hapësirave publike, ndriçimin e rrugëve dhe institucioneve, si dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të arsimit parashkollor dhe të tjera publike.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, disa anëtarë kërkuan që ti vihet një vëmendje më e madhe punonjësve me paga minimale, të cilët kryejnë detyra të lodhshme fizike, si punonjësit e pastrimit, mirëmbajtjes së rrugëve, etj. Ata theksuan se këta punonjës janë më të ekspozuar ndaj ngarkesës së punës, por shpërblimi i tyre financiar mbetet minimal, duke kërkuar që Bashkia të shqyrtojë mundësitë për rritje të pagave ose incentiva shtesë për ta.

Bazuar në transaksionet e Thesarit, analiza tregon se Agjencia e Funksioneve të Transferueshme ka një shpenzim mesatar mujor prej rreth 6 milionë Lekë për pagat e personelit, kostoja vjetore neto arrin në afro 72,5 milionë Lekë ose afro 755,600 €, duke përjashtuar kontributet dhe tatimet shtesë që e rrisin koston totale reale të buxhetit.

Për vitin 2026, numri i punonjësve në Bashkinë Bulqizë dhe në Agjencinë e Funksioneve të Transferueshme arrin një total prej 419 personash. Nga këto, 289 punonjës janë pjesë e administratës së bashkisë, ndërsa 130 punonjës në AFT, kryesisht në shërbime operative dhe mirëmbajtëse. Për këta punonjës, vetëm për pagat neto do të shpenzohen rreth 2.85 milionë euro në total, ku 2.1 milionë euro shkojnë për administratën e bashkisë dhe 755,000 euro për pagat e stafit të Agjencisë.




bulqizaime.al

Reklama
Back to top button