
Këshilli Bashkiak i Bulqizës miratoi numrin e punonjësve dhe nivelin e pagave në bashki për vitin 2026. Sipas paraqitjes, struktura e pagave mbetet e njëjtë me atë të miratuar më herët nga këshilli, pa ndryshime në numër apo kategori.
Të dhënat e prezantuara në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, tregojnë një strukturë të ndarë në dy blloqe kryesore: një grup punonjësish me paga të larta dhe një numër shumë të madh punonjësish mbështetës me paga mesatare ose minimale, duke reflektuar një peshë disproporcionale financiare në nivelin drejtues.
Grupi i pagave të larta, i përbërë nga 51 punonjës, përfshin kryetarin e bashkisë, zv/kryetarët, sekretarin e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive dhe administratorët e njësive administrative. Paga e kryetarit të bashkisë arrin 240 mijë lekë, zv/kryetarët marrin 185 mijë lekë, ndërsa drejtuesit dhe administratorët e njësive variojnë nga 140 mijë deri në 145 mijë lekë. Për një bashki me buxhet të kufizuar si Bulqiza, ky grup përfaqëson një përqendrim të konsiderueshëm financiar, duke konsumuar pjesën më të madhe të fondeve për pagat e nivelit drejtues dhe duke ngushtuar mundësitë për shpenzime të tjera kapitale.
Në krahun tjetër, grupi i pagave deri në 98 mijë lekë përfshin rreth 238 punonjës, shumica e të cilëve janë specialistë, punonjës administrativë, punonjës të gjendjes civile, edukatore kopshtesh, zjarrfikës dhe punonjës të policisë bashkiake. Ky grup është shtylla kryesore e funksionimit të administratës vendore, duke mbajtur në këmbë shërbimet e përditshme të qytetit, por është gjithashtu pjesa më e ndjeshme ndaj çdo ndryshimi në pagën minimale apo rritjeve të tjera. Çdo përpjekje për rritje uniforme të pagave në këtë grup do të rrisë ndjeshëm presionin mbi buxhetin dhe mund të ulë aftësinë e bashkisë për të investuar në projekte zhvillimore, infrastrukturore apo shërbime publike.
Duke pasur parasysh edhe krijimin e Agjencisë së Funksioneve të Transferueshme me 130 punonjës, ku administratori do të paguhet si drejtuesit e bashkisë, ndërsa stafi i shërbimit do të ketë paga minimale, numri total i punonjësve të bashkisë arrin në 419 persona.
Nënkryetari i këshillit, Munir Sinani, propozoi mundësinë e rritjes së mëtejshme të pagave për disa pozicione. Në të njëjtën linjë ishte edhe anëtari Edmond Duriçi, i cili kërkoi që pagat të rriten edhe më shumë, duke theksuar se administrata ka nevojë për motivim dhe mbështetje financiare.
Veap Halili, përfaqësues i opozitës në këshill, theksoi se ka paraqitur më herët një propozim që niveli i pagave të rishikohet vetëm për disa kategori, kryesisht për specialistët dhe drejtuesit e drejtorive. Halili kërkoi nga Bashkia një raport të plotë performance për çdo drejtori, në mënyrë që rritja e pagave të mos bëhet në mënyrë uniforme, por të bazohet tek performanca reale.
Ai paralajmëroi se Bashkia e Bulqizës ka prekur tashmë tavanet ligjore të pagave dhe se rritja e pagës minimale nga janari 2026 mund të çojë raportin mes pagave dhe investimeve në nivelin shqetësues 70% me 30%, duke lënë shumë pak hapësirë për projekte zhvillimore. “Drejtoria që performon duhet të paguhet, por jo të gjitha bllok”, u shpreh Halili.
Shkëlqim Dema, nga Drejtoria e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Shërbimeve Mbështetëse, u shpreh se pretendimet për ndikim negativ të rritjes së pagave mbi investimet publike janë të pabazuara. Ai theksoi se fondet për pagat janë të përcaktuara. Sipas tij, rritja e pagave është e harmonizuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2024, ku përcakton kufijtë ligjorë për pagat e drejtuesve dhe funksionarëve në nivel lokal.
Referuar VKM-së, Bashkia e Bulqizës ka zgjedhur të vendosë kufijtë maksimalë të lejuar për rritjen e pagave të drejtuesve, duke përdorur të gjithë hapësirën ligjore të përcaktuar për funksionarët lokalë.
Anëtarët e Partisë Socialiste, së bashku me disa përfaqësues të partive të vogla, refuzuan me forcën e kartonit çdo sugjerim të propozuar nga Halili për bazimin e rritjeve mbi performancën e drejtuesve dhe drejtorive. Opozita e konsideroi këtë si një shfaqje arrogance në vendimmarrje, duke theksuar se shumica po vepronte pa marrë parasysh nevojat e qytetarëve, duke e çuar afro 70% të buxhetit në paga.
Në Bashkinë e Bulqizës, afro 2.1 milionë euro shpenzohen për pagat e administratës dhe të stafit – këtu duke përjashtuar Agjencinë e Funksioneve të Transferueshme – megjithatë performanca e punonjësve mbetet e dobët. Politizimi i administratës lokale është i lartë, duke ndikuar negativisht në efikasitetin e shërbimeve.
Në një kontekst më të gjerë, raportet ndërkombëtare mbi administratën vendore në Shqipëri, përfshirë ato të Bankës Botërore dhe organizatave të tjera të specializuara në menaxhimin publik, tregojnë se kjo situatë nuk është e izoluar. Politizimi i administratës, mungesa e sistemit të matjes së performancës dhe shpërndarja joefikase e resurseve janë probleme që prekin shumicën e bashkive në vend.

