
Kuvendi i Shqipërisë ka mbyllur procedurën e pranimit të aplikimeve për tre vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vendet vakante janë shpallur në prag të përfundimit të mandatit të tre anëtarëve të propozuar nga vetë Kuvendi, Artan Hoxha, Luljeta Minxhozi dhe Violeta Staka.
Në procedurën e hapur nga Kuvendi i Shqipërisë janë paraqitur gjithsej 19 kandidatura.
Me emrave që kanë aplikuar, janë edhe tre anëtarët që përfundojnë mandatin në Këshillin Mbikëqyrës, Hoxha, Minxhozi dhe Staka. Duke qenë se të tre mbyllën mandatin e tyre të parë, ligji u njeh të drejtën për t’u zgjedhur edhe për një mandat të dytë. Luljeta Minxhozi mban njëkohësisht edhe detyrën e zëvendësguvernatores së parë të Bankës së Shqipërisë.
Në garën e hapur nga Kuvendi kanë aplikuar edhe disa profesionistë të tjerë të sektorit ekonomik, ligjor dhe financiar.
Elton Korbi është aktualisht administrator i përgjithshëm i shoqërisë administruese të fondeve të pensionit dhe investimit, Albsig Invest dhe njëkohësisht Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit. Më herët, ai ka punuar si specialist në Departamentin e Mbikëqyrjes dhe drejtues në departamentin e Financës dhe Kontabilitetit të Bankës së Shqipërisë.
Selami Xhepa është pedagog me karrierë të pasur akademike dhe aktualisht mban detyrën e Presidentit të Universitetit Europian të Tiranës.
Pajtim Melani ka qenë në të shkuarën kryetar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ndërsa ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Mbikëqyrjes së Tregjeve në Autoritetin e Konkurrencës, atë të drejtorit të Drejtorisë së Tregjeve dhe Masave Rregullatore në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Kandidatja Erjona Bejleri ka mbajtur pozicionin e zëvendësministres së Financave, ndërsa më herët ka pasur një eksperiencë të gjatë drejtuese në sektorin bankar privat.
Kandidatja Matilda Shehu ka qenë drejtore e përgjithshme e ish-kompanisë celulare Plus Communication, ndërsa aktualisht është pjesë e menaxhimit të grupit Balfin, si Drejtore për Transformimin (Chief Transformation Officer).
Kandidati Saimir Muçmata është aktualisht drejtor për Programimin, Harmonizimin dhe Standardizimin e Kuadrit Ligjor në Ministrinë e Financave.
Kandidatja Fatmira Kola vjen nga një karrierë akademike, ndërsa në zgjedhjet e fundit ka qenë edhe kandidate për deputete.
Kandidatja tjetër Eni Xheko, vjen nga sektori privat dhe mban detyrën e menaxheres së hotelit Xheko Imperial, pronë e familjes së saj.
Mes kandidatëve me formim profesional në fushën e të drejtës, spikat Holta Zaçaj, që sapo përfundoi mbandatin si anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtuese.
Kandidatja Frosela Filo është drejtuese komerciale në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizmeve Korçë. Ajo është bashkëshorte e kryetarit të bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.
Kandidate për në Këshillin Mbikëqyrës është Merita Bejtja. Asaj sapo i ka përfunduar mandati si Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, ndërsa ka kandiduar përsëri për dy pozicione, atë të Inspektores së Përgjithshme dhe anëtares së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Kandidatë të tjerë për detyrën e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës janë edhe Arben Zibri, Ingrid Konomi dhe Adela Karapici, ekonomistë që që vijnë të tre nga bota akademike.
Kandidati Emis Çerava është sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa kandidatja Liljana Mamadhaj është pjesë e administratës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pesë prej anëtarëve propozohen nga Kuvendi, tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga vetë Këshilli Mbikëqyrës.
Ligji parashikon që kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë persona që
gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe që kanë arsimin e lartë ekonomik ose juridik; përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare; kualifikime profesionale të profilit; përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.
Sipas ligjit, funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me funksionin e punonjësit, administratorit dhe aksionarit, me pjesëmarrje ndikuese në bankën e nivelit të dytë ose në subjektet që licencohen nga Banka e Shqipërisë.
Start News
