
Agjencia e njohur e udhëtimeve, “The Wom Travel”: po mahnit turistët italianë
“Viti 2026 do të jetë viti perfekt për të eksploruar Europën pa shpenzuar shumë. Ne kemi renditur 10 kryeqytetet evropiane më të përballueshme vitin e ardhshëm, ku një fundjavë mund të kushtojë më pak se një darkë jashtë”. Kështu e nis artikullin “The Wom Travel”, rrjeti italian i udhëtimeve, ku përkrahin Pragën, Budapestin, Varshavën apo Athinën, dhe rendit edhe Tiranën si një kryeqytet me kosto të ulët dhe të përballueshme për çdo turist.
“The Wom Travel” shkruan në artikull se Tirana është ndoshta surpriza më e madhe në këtë renditje, pasi kryeqyteti i Shqipërisë ka pësuar një transformim rrënjësor në dekadat e fundit, duke kaluar nga një qytet gri komunist në një qendër qyteti plot gjallëri dhe me shumë ngjyra.
Ndërtesat e pikturuara me murale dhe ngjyra të ndezura janë një simbol i kësaj rilindjeje, ndaj duhet vizituar patjetër në 2026, shkruan agjencia italiane e udhëtimit.
Ndër të tjera, në artikull për Tiranën shkruhet se edhe pse është kryeqytet dinamik, njëkohësisht është tepër i përballueshëm për çdo vizitor. Sheshi Skënderbej dhe zona e Ish-Bllokut ofrojnë një pamje unike të historisë dhe modernitetit shqiptar, duke e kthyer Tiranën në destinacionin e përsosur për udhëtarët kuriozë që kërkojnë mbi të gjitha një qytet autentik.
Rrjeti italian i udhëtimeve “The Wom Travel” u sugjeron lexuesve se cila është periudha më e mirë për të udhëtuar në kryeqytetin shqiptar me një kosto të ulët, ku në përgjithësi periudhat si pranvera dhe vjeshta ofrojnë ekuilibrin më të mirë mes motit të përshtatshëm dhe çmimeve të ulëta për fluturime dhe akomodime.
Start News
