
Me anë të një nisme solidariteti Fondacioni “Qatar Charity” ka marrë përsipër pagesat e energjisë për 1610 familje shqiptare në nevojë. Kjo nismë e njohur me emrin “Dritë në Shtëpi” është konkretizuar pas një marrëveshje bashkëpunimi mes fondacionit në fjalë dhe FSHU Sh.a, pjesë e OSHEE Group. Marrëveshja është firmosur nga Administratori i FSHU Sh.a, z. Algert Luzi dhe Drejtori Ekzekutiv i Zyrës së “Qatar Charity” në Shqipëri, z. Ahmad Yousef Fakhroo.
Të dhëna më të plota për këtë nismë bashkëpunimi ka dhënë vetë OSHEE me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku thuhet:
“Dritë në Shtëpi” ~ një nismë solidariteti që ndriçon jetën e 1610 familjeve shqiptare!
FSHU Sh.a, pjesë e OSHEE Group dhe Fondacioni “Qatar Charity” në kuadër të projektit social “Dritë në Shtëpi” finalizuan marrëveshjen e bashkëpunimit për mbështetjen financiare të 1,600 fëmijëve dhe familjeve në nevojë, përmes mbulimit të pagesave të faturave të energjisë elektrike.
Ky bashkëpunim synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve më në nevojë në të gjithë vendin.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë Administratori i OSHEE Group, z. Enea Karakaçi, Ambasadori i Shtetit të Katarit në Shqipëri, z. Jabor Bin Ali Al Dosari, si dhe përfaqësues të lartë të “Qatar Charity”, të cilët vlerësuan vizionin social të OSHEE Group dhe partneritetin e frytshëm me Shtetin e Katarit, që pritet të zgjerohet edhe në nisma të tjera solidariteti në të ardhmen.
Marrëveshja u firmos nga Administratori i FSHU Sh.a, z. Algert Luzi dhe Drejtori Ekzekutiv i Zyrës së “Qatar Charity” në Shqipëri, z. Ahmad Yousef Fakhroo duke zyrtarizuar angazhimin e përbashkët për të qenë më pranë komuniteteve në nevojë dhe për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. #OsheeGroup #QatarCharity #energji #fshu”
Start News
