
Drejtuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në një konferencë për shtyp, Gucati tha se përgatitjet për këtë protestë kanë nisur që prej tre muajsh, ndërsa kujtoi se më 7 gusht të këtij viti është zhvilluar një tjetër protestë e madhe, si dhe një tjetër në Hagë, në Holandë.
“Organizimi ynë ka filluar që prej tre muajsh. Ne kemi bërë një protestë të vështirë më 7 gusht të këtij viti. Një protestë ka qenë edhe në Hagë të Holandës. Protesta ndërkombëtare në Tiranë ka një arsye të veçantë, sepse ne jemi një komb, një gjuhë, një kulturë, një flamur. Mendoj se gjeneza jonë është në Tiranë, në vitet ’90, dhe kjo është arsyeja pse ne donim që protesta ndërkombëtare të zhvillohej në Shqipëri,” deklaroi Gucati.
Profesori Et’hem Ruka, dy ditë përpara protestës në Tiranë në mbrojtje të komandantëve të UÇK-së, që mbahen në Hagë, bëri thirrje, që gjithë shqiptarët të bashkohen në këtë tubim.
Ruka deklaroi se mbarë shqiptaria duhet të jetë në krah të komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që solli lirinë për Kosovën.
“Kjo protestë bashkon ndërgjegjen kombëtare, për të mbrojtur vlerat e krerëve të UÇK-së, që sot janë në Hagë. Nuk ka shqiptar që nuk duhet t’i përgjigjet thirrjes për protestë, në gjitha zonat ku jetojnë”, u shpreh Ruka.
Protesta e nesërme pritet të mbledhë veteranë të luftës dhe qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa organizatorët e kanë cilësuar atë si një manifestim paqësor për të kërkuar drejtësi për drejtuesit e UÇK-së në Hagë.
Drejtuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi në një intervistë ekskluzive për Klan News se protesta e 17 nëntorit, për lirimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka karakter të qartë kombëtar.
Ai tha se në një intervistë për Klan News se “60 mjete do të vijnë nga Kosova për të marrë pjesë në këtë tubim me karakter kombëtar”.
Gucati theksoi se “edhe kryetarë komunash në Kosovë kanë angazhuar autobusë për të mbështetur protestën në Tiranë”. Ai kujtoi se “protesta e parë u zhvillua në Prishtinë, më pas në Holandë, dhe tani radha është për kryeqytetin shqiptar”.
Në tubim do të flasë edhe Ali Ahmeti, një i afërm i një dëshmori nga Shqipëria, si dhe ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili ka pranuar të marrë fjalën në sheshin Skënderbej.
“Kjo protestë është e organizuar prej tre muajsh dhe ka për qëllim të bashkojë gjithë shqiptarët”, tha Gucati. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke shtuar se “Rama përfaqëson shtetin shqiptar dhe ne e mirëpresim, nëse ai vjen në tubim”.
Ndërsa, kritikoi mungesën e mbështetjes nga qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti, Gucati theksoi se “qeveria e Kosovës nuk po formohet, por shpreson që në fund të ketë një rezolutë të përbashkët për këtë çështje nga parlamenti i Shqipërisë dhe i Kosovës”.
Ai denoncoi edhe mbajtjen në paraburgim prej pesë vitesh të krerëve të UÇK-së, duke e quajtur këtë “një situatë absurde” dhe një “proces politik nga gjykata”.
Ndërkaq, në një deklaratë publike gjatë ditës së sotme, shoqata “Tirana” dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, shprehet se protesta mbahet si thirrje për unitet kombëtar dhe për drejtësi ndërkombëtare.
“Kjo protestë vjen si thirrje për unitet kombëtar dhe drejtësi ndërkombëtare, në mbrojtje të luftës të drejtë të UÇK-së, e cila i dha fund një regjimi gjenocidal dhe solli lirinë, që gëzojmë sot”, thuhet në deklaratë.

Start News