
Lidhjet gjenetike midis përdorimit të kanabisit dhe shumë tipareve të ndryshme pritet të çojnë drejt zhvillimit të strategjive të parandalimit dhe trajtimit për çrregullimet e përdorimit të kanabisit.
Studimi zbuloi marrëdhënie të reja midis varianteve të gjeneve të lidhura me përdorimin e kanabisit dhe shëndetin psikiatrik, kognitiv dhe fizik.
Studiuesit e Universitetit të Mjekësisë në San Diego të Kalifornisë, në bashkëpunim me kompaninë e testimit gjenetik 23andMe, kanë identifikuar rajone të gjenomit njerëzor të lidhura me përdorimin e kanabisit, duke zbuluar marrëdhënie të reja me shëndetin psikiatrik, kognitiv dhe fizik. Gjetjet mund të informojnë zhvillimin e strategjive të parandalimit dhe trajtimit për çrregullimin e përdorimit të kanabisit.
Studimi u botua më 13 tetor 2025 në Molecular Psychiatry.
“Kanabisi përdoret gjerësisht, por efektet e tij afatgjata në shëndet mbeten të karakterizuara dobët”, tha Sandra Sanchez-Roige, Ph.D., profesoreshë e asociuar e psikiatrisë në Shkollën e Mjekësisë të UC San Diego dhe autore kryesore e studimit. Studiuesit ishin gjithashtu të interesuar të ekslporonin marrëdhënien midis gjenetikës dhe tipareve që kontribuojnë në zhvillimin e çrregullimit të përdorimit të kanabisit, i cili mund të ndikojë në jetën e përditshme të një personi.
“Ndërsa shumica e njerëzve që provojnë kanabis nuk zhvillojnë me kalimine kohës çrregullime prej përdorimit të kanabisit, disa studime vlerësojnë se gati 30% e tyre do ta zhvillojnë këtë”, tha Sanchez-Roige. “Kuptimi i gjenetikës së sjelljeve në fazat e hershme mund të ndihmojë në sqarimin se kush është në rrezik më të madh, për të ngritur strategji parandaluese dhe ndërhyrjeje.”
Ekipi i kërkuesve e kreu studimin në të gjithë gjenomin (GWAS) duke analizuar marrëdhëniet midis përdorimit të kanabisit dhe të dhënave gjenetike të ofruara nga 131,895 pjesëmarrës në hulumtimin 23andMe. Ata iu përgjigjën pyetjeve të anketës nëse kishin përdorur ndonjëherë kanabis apo jo, dhe ata që u përgjigjën po u pyetën gjithashtu se sa shpesh e përdornin drogën.
“E dimë prej dekadash se faktorët gjenetikë ndikojnë nëse njerëzit do të provojnë apo jo drogë, sa shpesh përdorin lëndë narkotike dhe rrezikun që ata të bëhen të varur prej tyre”, tha Abraham A. Palmer, Ph.D., profesor dhe nënkryetar për kërkime bazë në departamentin e psikiatrisë në Shkollën e Mjekësisë të UC San Diego dhe bashkautor i studimit. “Mjetet gjenetike si GWAS na ndihmojnë të identifikojmë sistemet molekulare që lidhin përdorimin e kanabisit me funksionin dhe sjelljen e trurit.”
Studimi zbuloi se përdorimi i kanabisit gjatë gjithë jetës ishte i lidhur me dy gjene. I pari ishte Molekula 2 e Ngjitjes së Qelizave ( CADM2 ), një gjen i përfshirë në montimin e qelizave dhe në sinjalizimin midis qelizave nervore, veçanërisht në tru. Studimet e mëparshme e kanë lidhur CADM2 me tipare dhe gjendje të ndryshme, përfshirë personalitetin impulsiv, obezitetin dhe metastazën e kancerit. Frekuenca e përdorimit të kanabisit u zbulua gjithashtu se ishte e lidhur me gjenin CADM2 .
Gjeni i dytë ishte Receptori 3 i Glutamatit Metabotropik ( GRM3 ), i cili është i përfshirë në komunikimin midis neuroneve dhe plasticitetin afatgjatë të trurit. GRM3 është lidhur me çrregullime psikiatrike, përfshirë skizofreninë dhe çrregullimin bipolar.
“Ne treguam se gjenetika e përdorimit të kanabisit — si provimi ashtu edhe përdorimi më i shpeshtë i tij — është e lidhur me gjenetikën e tipareve të tjera psikiatrike, matjeve njohëse dhe madje edhe problemeve të shëndetit fizik”, tha Sanchez-Roige.
Një analizë dytësore zbuloi 40 gjene të tjera të lidhura me përdorimin e kanabisit gjatë gjithë jetës dhe katër gjene të lidhura me frekuencën e përdorimit të kanabisit. Njëzet e nëntë nga këto gjene nuk ishin lidhur më parë me tipare të lidhura me kanabisin.
Studiuesit më pas analizuan se cilat gjendje shëndetësore ishin të lidhura me një predispozitë gjenetike për përdorimin e kanabisit. Ata analizuan mijëra tipare në dy grupe të mëdha të të dhënave të pavarura nga Programi i Kërkimit “All of Us” i Instituteve Kombëtare të Shëndetit (NIH) dhe biobanka e Qendrës Mjekësore të Universitetit Vanderbilt.
Në të gjithë gjenomin, përdorimi i kanabisit gjatë gjithë jetës dhe frekuenca e përdorimit të kanabisit ishin të lidhura gjenetikisht me më shumë se 100 tipare të ndryshme, si gjendjet psikiatrike (p.sh., skizofrenia, ADHD, ankthi dhe depresioni), tiparet njohëse (p.sh., funksioni ekzekutiv dhe marrja e rrezikut) dhe shëndeti fizik (p.sh., diabeti, dhimbja kronike dhe sëmundja e arteries koronare). Ato ishin gjithashtu të lidhura me një rrezik në rritje për përdorimin e duhanit, sëmundjet infektive duke përfshirë HIV dhe hepatitin viral, dhe sëmundjet autoimune.
Studimi është një nga të parat e shoqërimit në të gjithë gjenomin që shqyrton sjelljet që i paraprijnë çrregullimit të përdorimit të kanabisit.
“Përdorimi i kanabisit ekziston në një vazhdimësi”, tha autorja e parë Hayley Thorpe, Ph.D., një studiuese vizitore në laboratorin e Sanchez-Roige dhe studiuese postdoktorale në Universitetin Perëndimor. “Duke studiuar këto tipare të ndërmjetme, ne mund të fillojmë të hartojmë se si shpaloset rreziku gjenetik përpara se të zhvillohet çrregullimi i përdorimit të kanabisit.”
Aktualisht nuk ka terapi me ilaçe të miratuara nga FDA për të trajtuar çrregullimin e përdorimit të kanabisit. Autorët shpresojnë që zbulimet biologjike të gjeneruara nga GWAS do të mbështesin përpjekjet e ardhshme për të identifikuar objektivat terapeutikë dhe ndërhyrjet parandaluese kundër çrregullimit. /Liberale.al/
Start News