Studenti që foli i fundit me Charlie Kirk thyen heshtjen pas vrasjes së tij në Utah

Një ditë pas vrasjes së Charlie Kirk, figura e njohur e së djathtës amerikane dhe themelues i Turning Point USA, ka reaguar studenti që ishte personi i fundit që i drejtoi atij një pyetje. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, më 11 shtator, në Universitetin e Luginës së Utah, ku Kirk po zhvillonte një aktivitet me studentët. Ai u qëllua për vdekje në moshën 31-vjeçare.
Studenti Hunter Kozak, i cili mori fjalën gjatë seancës me pyetje-përgjigje, publikoi një video në Instagram ku ndau përjetimet e tij. “Nuk e di si ta bëj këtë video, ka qenë një 24-orësh i vështirë,” tha ai. Në klipin e stilit TikTok, Kozak shfaqte edhe disa foto nga momenti kur i drejtohej Kirk-ut në sallë.
Ai shpjegoi se kishte vendosur të shkonte në aktivitet pasi më herët kishte kritikuar deklaratat e Kirk mbi komunitetin trans dhe rastet e dhunës me armë. Për të ilustruar diskutimin e fundit me të ndjerin, Kozak citoi një transkript të publikuar nga CNN.
Pyetja e tij për Kirk lidhej me numrin e amerikanëve transgjinorë të përfshirë në masakra me armë gjatë dekadës së fundit. “Shumë,” u përgjigj Kirk. Kozak e kundërshtoi, duke theksuar se bëhej fjalë për vetëm pesë raste, krahas mijëra masakrave të tjera në SHBA gjatë së njëjtës periudhë.
“Unë nuk do të publikoj pamje nga ngjarja, por ndjeva se duhej të sqaroja pse isha aty,” shtoi studenti, i cili ndau mesazhin vetëm pak orë pas tragjedisë.