Të shtënat me armë zjarri në shkollën katolike në SHBA, reagon Donald Trump: E tmerrshme! FBI është në vendngjarje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka reaguar për të shtënat me armë zjarri të ndodhura mëngjesin e sotëm në një shkollë katolike në Minneapolis, Minesota ku të paktën 2 persona dyshohet të kenë humbur jetën e 20 të tjerë të jenë plagosur rëndë.
Me një status në rrjetin Truth Social, Trump thekson se Shtëpia e Bardhë është duke monitoruar ngjarjen dhe se agjentët e FBI-së ndodhen në vendin e ngjarjes.
“Jam informuar plotësisht për të shtënat tragjike në Minneapolis, Minesota. FBI-ja reagoi shpejt dhe është në vendngjarje. Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të monitorojë këtë situatë të tmerrshme. Ju lutem bashkohuni me mua në lutje për të gjithë të përfshirët!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur rreth orës 08:30 të mëngjesit të sotëm. Ka qenë një person i veshur me të zeza, ende i paidentifikuar për mediat, i cili u fut në Kishën e Ungjillit duke qëlluar personat e pranishëm. Sakaq, mediat ndërkombëtare kanë bërë me dije se autori i masakrës është ekzekutuar nga policia.