Vrau gruan në prani të fëmijëve/ Pandeli Nakoleci përballet në gjykatë me vajzën e tij, ja çfarë i tha

Në momentin e mbërritjes në Prokurori, gazetarët e pyetën se “pse e bëri” dhe nëse është penduar, por ai qëndroi i heshtur, me kokën ulur.
Sipas mediave greke, brenda ambienteve të gjykatës, ai është përballur me vajzën e tij 18-vjeçare, të cilës i tha: U errësova, nuk doja ta bëja.
Akuzat dhe hetimet
Prokuroria i ngriti akuzë për vrasje me dashje në kuadër të dhunës në familje. Ai do te merret ne pyetje, më 26 gusht, në orën 10:00.
Ndërkohë, është urdhëruar një hetim social për fëmijët e mitur të çiftit, të cilët aktualisht ndodhen tek të afërmit e viktimës.
Prokuroria po heton edhe faktin se i dyshuari kishte qenë i shtruar në një spital psikiatrik në qershor dhe do të shqyrtohen rrethanat se si u lirua.
Arrestimi dhe fjalët tronditëse të 40-vjeçarit
Pas krimit të rëndë, autori qëndroi i fshehur për më shumë se 24 orë, derisa u gjet nga policia në një vend të braktisur, vetëm 200 metra larg shtëpisë së tij.
Sipas dëshmitarëve, në momentin e arrestimit ai i tha policëve:
“E vrava sepse më tradhtonte. Mirë ia bëra. Këtë e meritonte. Nuk pendohem për asgjë.”
Pas krimit ai kishte nderruar edhe rrobat, që dyshohet se i gjeti në kazanë plehrash. Tek ai nuk u gjetën as telefoni dhe as arma e krimit.
Policia greke njoftoi se mes çiftit nuk kishte denoncime të mëparshme për dhunë në familje, por 40-vjeçari kishte pasur precedentë me autoritetet.
Vijon ekspertiza mjeko-ligjore
Sipas autoriteteve, nesër (25 gusht) në Selanik do të kryhet autopsia mbi trupin e 36-vjeçares, për të përcaktuar rrethanat e sakta të vrasjes që ka tronditur opinionin publik në Greqi.