Aktualitet dhe Lajme

Presidenti Trump u lejon armët, efektivëve të Gardës Kombëtare, në misionin anti-krim

Share

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka urdhëruar personelin e Gardës Kombëtare që po patrullon rrugët e Uashington DC që të armatosen, pasi ofensiva e administratës Trump kundër krimit do të vazhdojë.

Trump urdhëroi vendosjen e gardës në Uashington më herët gjatë gushtit dhe vendosi nën kontroll federal policinë lokale për të luftuar atë që e quajti “daljen nga kontrolli të krimit në kryeqytet”.

Vetëm javën e kaluar, Pentagoni deklaroi se efektivët e përfshirë në misionin në fjalë, që aktualisht llogariten në rreth 2 mijë, nuk do të mbanin armë.

Ndërsa administrata presidenciale e ka duartrokitur misionin, sondazhet tregojnë se ai nuk mbështetet nga banorët e Uashingtonit, të cilët anojnë kryesisht nga demokratët.

Në një deklaratë, Pentagoni konfirmoi se, së shpejti trupat e Gardës Kombëtare do të patrullojnë rrugët me armët e shërbimit.

Kryetari i Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Boëser nuk e ka komentuar vendimin. Deri më sot, trupat kishin si mision patrullimin dhe nuk ishin përfshirë në operacione speciale, të kryera nga policia dhe agjencitë federale.

Duke folur nga Dhoma Ovale ditën e premte, Trump tha se, “kryeqyteti ishte kthyer në ferr, ndërsa tani është i sigurt”. Ai njoftoi gjithashtu se një mision i ngjashëm mund të kryhet edhe në Çikago, një tjetër qytet demokrat, administrata vendore e të cilit është përplasur disa herë me Trump.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button