Gazetari nga RMV denoncon kryetarin e komunës së Tetovës dhe dajën e tij: Tentuan të pengonin punën time si gazetar

Një gazetar i Maqedonisë së Veriut, Nevrij Ademi, ka denoncuar pranë Unionit të Gazetarëve Shqiptarë një rast të paprecedentë të ndodhur në vendin fqinj. Rasti në fjalë konsiston në pengimin e ushtrimit të punës së pavarur si gazetar si dhe cënimin e medias së lirë në vend.
Nevrij Ademi ankohet për kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe dajën e këtij të fundit, Rakip Kasami, i cili ka qenë pejsë e delegacionit që do të udhëtonte jashtë shteti në drejtim të SHBA-ve me stafin e kryetarit të Komunës.
Ndërsa gazetari publikoi një lajm lidhur me këtë çështje, ai befas është thirrur në komisariat për të dhënë shpjegime pas një denoncimi të bërë nga Rakip Kasami.
Në prokurori, gazetari Ademi është përpallur me një urdhër të prerë dhe të pabazuar në ligj e shkresa zyrtare, për konfiskimin e telefonave të tij. Nevrij Ademi shpjegon se arsyet e këtij denoncimi janë me qëllim informimin e përfaqësive vendore dhe ambasadave për cënimin e ushtrimit të gazetarisë së lirë.
Postimi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:
Denoncim i gazetarit nga Tetova, adresuar edhe prane UGSH:
LETËR INFORMUESE
Drejtuar: Ambasadave dhe përfaqësive ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut
Nga: Nevrij Ademi, gazetar
Lënda: Informim për presione dhe tentim pengimi të punës sime si gazetar
Të nderuar,
Me këtë letër dëshiroj t’ju informoj lidhur me një rast të fundit që cenon drejtpërdrejt punën time si gazetar dhe që, sipas mendimit tim, përbën presion të qartë dhe të pajustifikueshëm mbi lirinë e medias në vend.
Rasti konkret:
• Gjatë një paraqitjeje publike, pyeta kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, lidhur me një udhëtim zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sipas vetë deklaratës së tij pjesë e delegacionit ka qenë edhe daja i tij.
• Pas publikimit të lajmit mbi këtë çështje, daja i tij, z. Rakip Kasami, paraqiti kallëzim ndaj meje në polici.
• Më pas u thirra në stacionin policor për të dhënë deklaratë, ku gjatë procedurës u përballa me një urdhër jo të shkruar nga prokuroria për konfiskimin e telefonave të mi personalë, mjete të domosdoshme për punën time si gazetar.
• Pas rezistencës sime dhe ndërhyrjes së avokatit, prokurori Jetmir Bexheti dha një urdhër verbal (telefonik) për konfiskim, por ky veprim nuk u realizua për shkak të mungesës së bazës ligjore dhe dëshmive të mjaftueshme.
Vlerësimi im:
Ky rast përbën një formë presioni institucional dhe politik, që rrezikon të kthehet në precedent të rrezikshëm për të gjithë gazetarët në Maqedoninë e Veriut. Tentimi për të më konfiskuar pajisjet e punës, pa vendim gjykate dhe pa procedurë të rregullt ligjore, bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës, me liritë themelore të njeriut dhe me standardet ndërkombëtare për lirinë e medias.
Qëllimi i kësaj letre:
• T’ju informoj mbi këtë rast si ambasada dhe përfaqësi ndërkombëtare në vend.
• Të theksoj rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve nga presionet politike dhe nga abuzimet e pushtetit.
• Të kërkoj vëmendjen tuaj që raste të tilla të mos kalojnë pa reagim, pasi cenojnë jo vetëm individin gazetar, por edhe klimën demokratike dhe lirinë e shprehjes në Maqedoninë e Veriut.
Duke ju falënderuar për vëmendjen dhe për mbështetjen tuaj të vazhdueshme për lirinë e medias dhe të drejtave të njeriut,
Me respekt,
Nevrij Ademi
Gazetar
Tetovë, //2025