ZYRTARE/ Ivan Rakitiç merr detyrën e rëndësishme në klubin kroat

Ivan Rakitiç, vendosi të varte këpucët në gozhdë dhjetë ditë më parë dhe dje u njoftua si drejtori i ri teknik i Hajduk Split.
Ish-ylli kroat i bashkohet kështu ekipit drejtues të klubit dalmat, ku do të punojë drejtpërdrejt me drejtorin sportiv Goran Vuçeviç, duke u përqendruar në ekipin e parë dhe stafin e trajnerëve.
Me një të kaluar të shquar duke përfshirë Seviljen, Barcelonën dhe ekipin kombëtar kroat, Rakitiç sjell një përvojë të pasur ndërkombëtare, një rrjet të gjerë kontaktesh dhe një kuptim të thellë të futbollit të nivelit të lartë.
“Falenderoj Presidentin Ivan Biliç dhe Drejtorin Sportiv Goran Vuçeviç për besimin e tyre. Dua ta ndihmoj Hajdukun: ky është motivimi im i vetëm. Jam gati të punoj me përkushtim të plotë për të ndihmuar klubin të rritet. Do të ofroj aftësitë, përvojën dhe kontaktet e mia në botën e futbollit. U premtoj tifozëve se e njëjta djersë dhe përkushtim që tregova si lojtar do të vazhdojë në këtë rol të ri”, tha Rakitiç pas nënshkrimit të kontratës.
Hajduk kështu ruan një nga figurat më ikonike në futbollin kroat.