Xhandarmëria serbe me simbole ruse, Islami: Nuk është rastësi, por sinjal shqetësues

Share

Një pamje që ka qarkulluar në rrjetet sociale ku shihet një pjesëtar i xhandarmërisë serbe, duke mbajtur në uniformë një emblemë me simbole ruse ka nxitur reagime.

Pjesëtari i xhandarmërisë serbe thuhet se ishte i përfshirë në ndërhyrjen ndaj protestuesve në Beograd, dhe në uniformë kishte emblemën me simbole ruse dhe mbishkrimin “Dimitrij Donski” – një figurë historike ruse që sot simbolizon ideologjinë nacionaliste dhe militariste pro-Kremlinit.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, në një reagim publik, e cilësoi këtë si një dëshmi alarmante të ndërthurjes ideologjike ruso-serbe brenda institucioneve shtetërore të sigurisë.

“Simbolet e Rusisë në uniformat e xhandarmërisë serbe janë dëshmi alarmante e ndikimit ideologjik në institucionet e sigurisë të Serbisë,” tha Islami.

Ai shtoi se prania e emrit të princit rus të shekullit XIV, Dmitrij Donski, në këtë kontekst, nuk është e rastësishme.

“Në emër të tij marshojnë ata që besojnë në ‘Botën Ruse’ – një koncept ideologjik që promovon përplasjen me Perëndimin, luftërat ‘të shenjta’, dhe përhapjen e ndikimit rus përtej kufijve të saj”, ka thënë Islami.

Për të ky rast nuk mund të trajtohet thjesht si një incident i izoluar, por si tregues i një tendence më të gjerë e më të rrezikshme.

“Fakti që ky simbol gjendet në uniformën e një efektivi të xhandarmerisë serbe, i cili ndërhyn ndaj qytetarëve të vet protestues, është më shumë se një incident – është një tregues i rrezikshëm i ndërthurjes ideologjike mes Rusisë dhe Serbisë në nivel institucional”, ka shkruar Islami.

Ai ka edhe një apel duke theksuar se “Historia na ka mësuar se kur ideologjitë ekstremiste dhe strukturat e dhunës bashkohen, pasojat janë gjithmonë shkatërruese. Është koha për vigjilencë dhe për një analizë të thelluar të ndikimeve të jashtme në aparatin shtetëror serb”




Huazuar nga albeu.com

Reklama
Back to top button