Maqedonia e Veriut do vendosë taksë beqarëve? Mickoski: Më shumë vdekje se sa lindje

Në një aktivitet të qeverisë kryeministri Mickoski tha se është koha për një shtet ku më shumë të rinj të martohen dhe të lindin më shumë fëmijë.
Ai theksoi se ky nuk është vetëm problem i Maqedonisë së Veriut, por është një sfidë e gjithë Evropës, madje edhe më gjerë.
“Të ndërtojmë institucione që nuk e shpenzojnë rininë e të tjerëve, por e kultivojnë atë. Të ndërtojmë një shtet ku shpresa është më e rëndësishme se pasaporta. Dhe seriozisht mendojmë edhe për taksa shtesë për të pamartuarit dhe të pamartuarat”, tha Mickoski.
Ai njoftoi se në vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut lindën 16.061 fëmijë, ndërsa vdiqën 20.201 persona. Kjo, theksoi ai, është një rënie natyrore prej 4.140 personash vetëm në një vit.
“Në katër vitet e fundit kemi humbur më shumë se 33 mijë banorë, sikur të ishte zhdukur një qytet sa Kavadari apo Kërçova. Norma e lindjes ka rënë nga 12,5 për qind në vitin 2010 në vetëm 8,8 për qind në vitin 2024”, tha ai.
Ai shtoi se në shumë komuna dhe fshatra të vendit tashmë nuk ka as klasa të para dhe gjithnjë e më shumë njerëz jetojnë vetëm.