Ndryshime në Policinë e Shtetit, emrat e rinj që pritet të drejtojnë 5 komisaritet

Ka përfunduar gara e 51 aplikantëve në Policinë e Shtetit për 5 vende vakante. 51 aplikantë kandiduan për 5 pozicionet:
1-Shef i komisariatit nr.2 në Tiranë
2-Shef i komisariatit të Himarës
3-Shef i komisariatit të Rinasit
4-Shef i komisariatit të policisë kufitare Dibër
5-Shef i komisariatit të policisë kufitare Sarandë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda do të përcaktojë 5 emrat fitues sipas pikëve, ku kandidati që të konsiderohet fitues duhet të ketë marrë mbi 70 pikë.
Nga 51 aplikantë 15 kanë arritur të marrin mbi 70 pikë, duke u futur në listën fituese.
Nga 51 aplikantët i pari që ka arritur të marrë më shumë pikë është Idriz Daulle zv.drejtori aktual për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Tiranës.
Burime bëjnë me dije se Daulle pritet të emërohet shef i komisariatit nr.2 në Tiranë pas dorëheqjes së Ritvan Palit.
Dorëheqja e Palit erdhi pas një operacioni të suksesshëm që solli arrestimin e ish-efektivit Altin Morina, i cili ishte në kërkim nga SPAK.
Me garimin e Daulles në konkursin për 5 komisariate, pritet të kemi një zv. Drejtor të ri për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Tiranës.
Ndërkohë nga ky konkurim i dyti është rënditur Përparim Dema, shefi aktual i komisariatit të Rinasit, i cili pritet ta ruajë sërish këtë pozicion. Pas Demës në rënditje me pikë vijnë Faik Ruko dhe Elvid Shehu.
Ruko vjen nga Policia e Elbasanit, ndërsa Elvid Shehu është shef i komanduar i komisariatit të policisë kufitare Sarandë, post në të cilin është i komanduar dhe pritet ta marrë definitivisht.
Në listën fituese është edhe Bledar Rreshka, i cili më parë ka drejtuar komisariatin nr.3 në kryeqytet.
Më pas kandidatët e tjerë që kanë marrë mbi 70 pikë në këtë konkurs janë: Florian Dano, Ferit Merkaj, Kliton Zharri, Artur Mersini, Bledar Rreshka, Ardjan Çela, Ermal Kenaçi, Ediona Dano.
Behar Gançi, Oltjon Agolli dhe Pllumb Kovaçica.
Në ditët në vijim pritet që drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda të bëjë emërimet në këto 5 komisariate.
Ndërkohë ende nuk është hapur gara për komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranës, ku vijon të jetë i komanduar Lorenc Shehu, pas arrestimit të Roven Zekës nga SPAK.
Po ashtu vijon të mbetet ende pezull gara për drejtorët e departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku sipas ligjit të ri për Policinë e Shtetit duhet të zhvillohet garë.