Aktualitet dhe Lajme

Irani nis një seri tjetër sulmesh ndaj Izraelit, sirena alarmi në Tel Aviv dhe Jerusalem. Aktivizohet sistemi mbrojtës “Kupola e Hekurt”

Share

Kanë nisur sërish sulmet mes Iranit dhe Izraelit, ku sipas ushtrisë izraelite (IDF), janë zbuluar një seri raketash të lëshuara nga Irani në drejtim të territorit të tyre.

Sipas njoftimeve zyrtare, sirenat e alarmit kanë rënë në Tel Aviv dhe Jerusalem, ndërsa janë dëgjuar shpërthime të fuqishme dhe sistemi mbrojtës “Kupola e Hekurt” (Iron Dome) është aktivizuar për të ndaluar raketat që afrohen.

Në qytetin verior të Haifës, një ndërtesë është goditur drejtpërdrejt nga një raketë, sipas organizatës izraelite të kërkim-shpëtimit ZAKA.

“Goditje direkte në një ndërtesë në Haifa. Ekipet tona nga Distrikti i Veriut janë në rrugë për në vendngjarje,” njoftoi ZAKA.

Edhe Reuters ka publikuar pamje të shpërthimit në qytet, me re tymi që ngrihen mbi horizontin e Haifës. Paralelisht, Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Emergjencave në Izrael ka konfirmuar se ka marrë raporte për goditje të drejtpërdrejtë në një godinë banimi në Rrethin Bregdetar, me ekipet e zjarrfikësve që janë nisur drejt vendit.

Burime ushtarake raportojnë se disa nga raketat iraniane kanë kaluar përmes shtresave të mbrojtjes ajrore të Izraelit, megjithëse IDF nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për penetrimin e sistemit të mbrojtjes.

Përballë kësaj vale të re të sulmeve, Izraeli ka njoftuar nisjen e një “serie goditjesh” në perëndim të Iranit, duke synuar raketa tokë-tokë dhe objektiva strategjikë të regjimit iranian.

Ndërkohë, qytetarëve izraelitë në zonat e prekura u është kërkuar të qëndrojnë në strehime dhe ambiente të mbrojtura, teksa situata është në zhvillim e sipër.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button