S’morën mandat në zgjedhjet e 11 Majit, flet Shehi dhe Alibeaj: Rezultati poshtë pritshmërive tona, s’mbollëm besim tek njerëzit, partia-shtet vijon…

Në një konferencë për mediat, kreu i LZHK Dashamir Shehi dhe kreu i Djathtas 1912, Enkelejd Alibeaj, që hynë bashkë në zgjedhjet e 11 majit dhe si koalicion nuk fituan dot as edhe një mandat në Kuvend, thanë se rezultati ishte poshtë pritshmërive të tyre.
Shehi tha se partia-shtet vijon të jetë në qeveri, ndërsa shtoi se e vetmja gjë pozitive në këto zgjedhje ishte fakti që disa parti të reja morën mandat.
Ndërsa, Alibeaj theksoi se duhet ta gjejnë përgjegjësinë tek vetja, se përse nuk krijuan besim tek njerëzit.
Kreu i LZHK, Dashamir Shehi: Iu urojmë suksese partive të reja, që hynë në parlament. Pjesa tjetër është gjë e vjetër, një parti-shtet në qeveri. Ne marrim përgjegjësitë tona në këtë mes.
Enkelejd Alibeaj, kreu i Djathtas 1912: Fakti është fakt. Rezultati ishte poshtë pritshmërive tona. Ne duhet të gjejmë përgjegjësinë tek vetja, tek paaftësia jonë për të përcjellë tezat, programin, qëndrimeve tona, që ishin realiste. Sa duket dështuam që të ngjallim entuziazëm. Kjo ishte hierarkia e parave që disponon çdo parti. Ne kishim financa modeste. Angazhimi i krimit ishte fare i qartë, mjafton të shikosh që kanë marrë shumë vota njerëz anonimë apo gjysmë anonim. Administrata u përdor.