Presidenti Begaj takon anëtarë të Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes: Institucionet tona, të angazhuara për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje

Këtë të hënë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku janë të pranishëm ushtarakë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Turqisë, Italisë, Hungarisë, Kroacisë, Kosovës, si dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë kombëtare.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Begaj, e vlerësoi Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes për rëndësinë e tij, që shkon përtej aspektit akademik, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes ushtarakëve të vendeve të ndryshme të NATO-s dhe vendeve partnere.
Ai theksoi se ky kurs është një mundësi për të forcuar lidhjet mes vendeve të aleancës dhe miqve të Shqipërisë. Duke folur për sfidat gjeostrategjike dhe sigurinë, Presidenti theksoi nevojën për rritjen e investimeve në mbrojtje.
“Kjo është një përpjekje e vazhdueshme e institucioneve shqiptare për të rritur shpenzimet në mbrojtje”, tha ai.
Ai gjithashtu, e njohu audiencën me politikat e Shqipërisë në rajon dhe në nivel ndërkombëtar, duke i dhënë rëndësi bashkëpunimit dhe forcimit të miqësisë.
“Ndërtimi i urave, jo i mureve, është thelbi i politikës sonë të jashtme, e cila është plotësisht e linjëzuar me politikën e Bashkimit Evropian. Ne, si shqiptarë, besojmë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm për vendin tonë, për fqinjët dhe për miqtë tanë”, u shpreh ai.
Presidenti Begaj diskutoi me studentët për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ku theksoi rëndësinë e anëtarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, duke përmendur gjithashtu përkushtimin e Evropës ndaj rajonit pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.
Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me sfida të ngjashme, si konsolidimi i demokracisë, forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe zhvillimi ekonomik.
Ai theksoi se për t’i arritur këto objektiva, është e nevojshme që të punojmë së bashku në unitet dhe solidaritet.
Në fund të takimit, Këshilltarët e Presidentit,, njohën studentët me funksionet dhe rolin e Institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe me përgjegjësitë e Kreut të Shtetit në një Republikë Parlamentare, përfshirë pozitat si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.