Arben Taravari jep dorëheqjen si ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Shëndetësisë, njëherësh kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka dorëzuar dorëheqjen e tij ditën e sotme.
Siç kishte njoftuar një ditë më parë, Taravari njoftoi përmes një letre dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.
Taravari theksoi se këtë vendim e mori duke besuar se është në interesin më të mirë të institucionit dhe të parimeve të tij personale.
“Me këtë letër ju informoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i Ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Detyrën që e mora me këtë funksion e kam ushtruar me përkushtim të plotë, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe shtetit. Këtë vendim e kam marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit dhe të parimeve të mia personale. Ju falënderoj për besimin dhe mundësinë për të qenë pjesë e Qeverisë në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme për sistemin shëndetësor”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Taravarit drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski.
Dorëheqja e tij, pasi të pranohet nga kryeministri, pritet të kalojë në procedurë në Kuvend.