Gjykata e Lartë prish vendimin e Apelit të GJKKO-së për Arbër Veliajn, rikthehet për rigjykim

Gjykata e Lartë, ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm për Arben Veliajn, i cili kundërshtoi sekuestrimin e materialeve nga ana e BKH-së, si dhe të kontrolleve të ushtruara nga agjentët në banesën e tij dhjetorin e 2024.
Vendimi u dha nga treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Medi Bici dhe Sokol Binaj, të cilët pas seancës të zhvilluar në dhomë këshillimi, vendosën të rikthejnë çështjen në Apel për rigjykim, tek i njëjti trupë gjykues.
Pasi shkalla e tretë e gjyqësorit të zbardhë vendimin, në Apelin e Posaçëm gjyqtari Engert Pëllumbi, do të marrë edhe njëherë në shqyrtim ankimin e Arbër Veliajt, i cili kundërshtoi vendimin e GJKKO për sekuestrimin e materialeve në banesën dhe zyrën e tij, si dhe për kontrollet e ushtruara në këto dy ambiente në kohën kur ai ndodhej jashtë vendit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, agjentët e BKH me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, mësynë në banesën dhe zyrën e Arbër Veliajt, në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Posaçme po kryente për vëllain e tij Erion Veliaj.