Aktualitet dhe Lajme

Berisha nuk njeh zgjedhjet, lajmëron protestë në të njëjtën kohë me Samitin e BE në Tiranë

Share

Në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke i cilësuar ato si të manipuluara dhe të diktuara nga krimi i organizuar.

Berisha akuzoi qeverinë se ka bashkëpunuar me grupe kriminale, për të ndikuar vullnetin e qytetarëve dhe rezultatin përfundimtar të votimeve.

“Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira dhe as të ndershme. Ato u diktuan nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë dhe në 20 bashki të vendit. Këto grupe kriminale patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale”, deklaroi Berisha.

Ai përmendi konkretisht bashkinë e Vorës, ku sipas tij, një bandë lokale ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj qytetarëve.

“Në Vorë, banda e Xhabaftit ndikoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve. Ky nuk është votim demokratik, por një farsë e orkestruar nga qeveria në bashkëpunim me krimin”, tha ai.

Deklarata e Berishës vjen në një moment tensioni politik, pas publikimit të rezultateve që i dhanë mazhorancës një fitore të thellë.

“Ky krim është po kaq monstruoz në diasporë. Ju e morët vesh besoj, se si në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS 99.6 përqind. Pra, kemi të bëjmë me Korenë e Veriut. Kjo është e vërteta. Në qoftë se nga Greqia, ardhja me postë të zakonshme çdo ditë para se famëziu, krimineli Balla të shkonte me hordhinë e patronazhistëve në Greqi, ishte 1000-1300 zarfe, pas dërgimit të kriminel Ballës në Greqi, kanë ardhur 6 mijë zarfe, të gjitha të manipuluara. Ju besoj se po e ndiqni numërimin e votave në diasporë se si ato janë me shenjat më të sigurta të falsitetit dhe manipulimit. Thirrja ime është kjo për të gjithë komisionerët që po bëjnë punë me vetëmohim, të numërojnë çdo votë në dëshmi të respektit tonë të palëkundur ndaj atyre që në kushte terrori kanë votuar për opozitën. Të regjistrojnë dhe të mbajnë shënim çdo parregullsi.

Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet. Protesta do të jetë paqësore. Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij”.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button