Ambasadori Hargreaves flet për bllokadën institucionale: Populli i Kosovës pret veprim – formoni Kuvendin dhe Qeverinë

Tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, Kosova vazhdon të ketë ngërç institucional kjo për faktin se për të dymbëdhjetën herë me radhë deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Situata e krijuar ka nxitur reagime të shumta
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje për një angazhim të menjëhershëm nga liderët politikë të Kosovës për të formuar një Kuvend dhe një qeveri funksionale.
Në një përgjigje për Telegrafin, ambasadori ka theksuar se pas më shumë se tre muajsh nga zgjedhjet e fundit është koha për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe për të siguruar stabilitetin institucional të vendit.
“Më shumë se tre muaj pasi populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe një qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesin kombëtar,” ka deklaruar ambasadori Hargreaves.
Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka deklaruar sot për Telegrafin se përgjigja për zgjidhjen e ngërçit institucional bie mbi udhëheqësit politikë të vendit.
“Është përgjegjësi e lidershipit politikë të formojë një Kuvend dhe një qeveri stabile në përputhje me Kushtetutën”, kanë deklaruar nga Ambasada e SHBA-së.
Kosova vazhdon të përballet me një ngërç institucional pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi shumicën e votave, por ende nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për konstitumin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Ndërkohë, liderët politikë të partive të tjera kanë kundërshtuar propozimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, duke kërkuar që të ndryshohet kandidatura për të mundësuar përparimin e procesit.
Si rrjedhojë e situatës së krijuar kryetari i LVV-së, Albin Kurti i dërgoi ftesë publike për marrëveshje për koalicion kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndërkaq ky i fundit i është përgjigjur kësaj ftese duke thënë se zgjidhja për të dalë nga ngërçi politik është krijimi i një qeverie tranzitore.
Partitë e mëdha shqiptare janë shprehur të gatshme të bisedojnë për propozimin e LDK-së por Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar propozimin si të papranueshëm