SPAK i komunikon Ajola Xoxës një akuzë të re

Këtë të hënë, bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxa, u paraqit në SPAK pas thirrjes së Prokurorisë.
Raportohet se prokurorët e posaçëm i kanë komunikuar bashkëshortes së Erion Veliajt akuzën e fshehjes së të ardhurave.
Xoxa qëndroi në SPAK për rreth 2 orë, ndërsa kujtojmë se pak ditë më parë, ajo u paraqit në ambientet e prokurorisë në kuadër të respektimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, të caktuar ndaj saj nga ana e GJKKO.
Gjithashtu, ajo është nën hetim për akuzat:
“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë).
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.