Aktualitet dhe Lajme

DEL RAPORTI/ Pse dhe si ndodhi black out-i i energjisë elektrike që futi në errësirë Shqipërinë dhe rajonin

Share

Gjatë ditës së djeshme, Spanja, Portugalia dhe një pjesë e Francës, përjetuan një “black out”, për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ndërkohë që autoritetet dyshojnë paraprakisht se bëhet fjalë për një efekt “kaskadë”, ku problemet në një rajon të caktuar shpërndahen në rrjet për shkak të ngarkesës.

Ky incident na sjell në mendje atë që ndodhi në qershorin e vitit të shkuar në rajonin tonë, kur për 4 orë Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnja përjetuan të njëjtën gjë, edhe pse në një shkallë më të vogël.

Pak javë më parë, ka dalë raporti teknik i ngjarjes në fjalë, të cilin e konsultoi Skyweb.al.

Sipas raportit të organizatës europiane ENTSO-E, linja e Shqipërisë me Greqinë (Zemblak–Kardia), pësoi defekt për shkak të kontaktit me pemët, që ndodh kur nuk pastrohet vegjetacioni rreth linjave të tensionit të lartë.

 

Kjo, e kombinuar me temperaturat mbi 40°C dhe ngarkesën e madhe në rrjet nga përdorimi i kondicionerëve, çoi në një zinxhir problemesh.

Në Shqipëri, defekti çoi në shkëputjen nga rrjeti rajonal dhe në ndërprerje të energjisë në shumë zona, përfshirë edhe humbjen e një pjese të prodhimit vendas.

Pjesë të mëdha të vendit mbetën pa energji për gati 4 orë.

Skyweb.al sjell një përmbledhje të raportit:

Çfarë ndodhi saktësisht?

Në orën 12:09:16 ndodhi një avari në linjën 400 kV Podgorica 2 – Ribarevinë (në Malin e Zi).

Pas pak minutash, në orën 12:21:30, u shkaktua një defekt i ngjashëm në linjën 400 kV Zemblak – Kardia (në kufirin Shqipëri-Greqi).

Këto dy defekte çuan në një reaksion zinxhir me ndërprerje të tjera në linja të tensionit të mesëm dhe të lartë në rajon, duke shkaktuar rënien e tensionit dhe humbje të menjëhershme të ngarkesës dhe prodhimit në disa vende.

U humbën rreth 2,214 MW kapacitet prodhimi brenda pak minutash.

Pse ndodhi?

Temperaturat ekstreme (mbi 40°C) rritën ndjeshëm përdorimin e kondicionerëve, duke çuar në rritje të ngarkesës elektrike.

Linjat ishin të mbingarkuara dhe mungonte mbështetja e duhur për tensionin.

Sistemet automatike të mbrojtjes nuk funksionuan në mënyrë të koordinuar dhe u shkaktuan ndërprerje të tjera.

Kishte mungesë të vëzhgueshmërisë në kohë reale në disa pjesë të rrjetit.

Si u veprua?

Brenda pak minutash, TSO-të (Operatorët e Sistemit të Transmetimit) në rajon nisën procesin e rivendosjes.

OST (Shqipëri) nisi rikthimin e energjisë duke u lidhur me rrjetet fqinje (Greqi, Kosovë, Mal i Zi).

Procesi i rikthimit zgjati rreth 4 orë, duke përfunduar në mbrëmje.

Përfundime dhe masa të rekomanduara:

Kontroll më rigoroz i vegjetacionit afër linjave të tensionit të lartë.

Përmirësim i vëzhgimit në kohë reale të rrjetit.

Krijimi i indikatorëve të thjeshtë për të paralajmëruar lëvizjet e tensionit (kolapsin).

Rishikim i sistemeve të mbrojtjes nga mbingarkesat dhe rregullimeve automatike të tensionit në transformatorë.

Krijimi i skenarëve emergjentë të automatizuar për kompensimin reaktiv (kontrolli i tensionit).

Ky incident u klasifikua si i shkallës së tretë (më i larti)sipas metodologjisë zyrtare të ENTSO-E, për shkak të ndikimit të gjerë rajonal dhe humbjeve të mëdha të ngarkesës. /skyweb.al 




Huazuar nga albeu.com

Back to top button