Aktualitet dhe Lajme

“Nuk do t’i lëmë qytetarët në mjerim”, Berisha në Njësinë 4 në Tiranë: Ndryshimi do të vijë që në 100 ditët e para

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur me banorët e Njësisë 4 në Tiranë, u shpreh se asnjë qytetar nuk do të jetë më në mjerim dhe ndryshimi do të vijë që në 100 ditët e para me ardhjen në pushtet.

“Të dashur qytetare dhe qytetarë të lagjes 4, tiranas denbamaden, dibranë, gollobordas të ardhur me të cilët kam jetuar vite e vite në një pallat, se unë jam banor i kësaj lagje, lebër, malësor, një komunitet me prurje të ndryshme, por një komunitet i mrekullueshëm njerëzish të ndershëm, punëtor dhe dinjitoz.

Shpreh kënaqësinë e madhe që jam sot tek ju dhe vij këtu për të paraqitur kandidatët tanë për deputetë në këtë lagje, përfaqësues të shkëlqyer tuaj, Lisandër Hoxhën, Kreshnik Çollaku, Revelino Çuni, përfaqësues dinjitoz i komunitetit rom-egjiptian, një demokrat i vërtetë.

I dashur Besart Xhaferi, kryetar i FRPD-së dhe udhëheqës politik i kësaj dege, Endrison Breçani, kryetar i degës.

 

Zonja e zotërinj, miq të dashur.

Çdo ditë që na ndan nga 11 maji është një apel, një kushtrim për ne. Janë sirenat që na ftojnë të bëjmë të gjithë përpjekjet tona për fitoren e shkëlqyer, historike që presin banorët e lagjes numër 4 dhe shqiptarët në të 4-anët e vendit.

Mbrëmë pas mesnate jam kthyer nga një tur në jugun e Shqipërisë. E gjeta jugun në këmbë, më të vendosur, më të gatshëm se kurrë, për tu ndarë nga kjo e keqe e madhe, nga kjo sëmundje e rëndë, që quhet Edi Rama dhe regjimi i tij.

Të dashur miq!

Ne sot kemi një epërsi të madhe ndaj kundërshtarit tonë.

Kemi një mbështetje të fuqishme, një entuziazëm të paparë më parë.

Kemi një program i cili me të vërtetë, çdo orë dhe çdo ditë po pushton gjithnjë e më shumë, mendjet dhe zemrat e qindra dhe mijëra shqiptarëve.

Ky program të dashur miq, ka si qëllim kryesor, më kryesor, një mundësi të re për çdo shqiptar, nga fëmijët për një shkollë më të mirë.

Tek pensionistët, për një jetë më të mirë.

Tek të rinjtë, për shanse shkollimi dhe punësimi reale.

Tek bizneset për shanse të vërteta suksesi.

Tek punonjësit përmirësim dhe respekt të punës së tyre.

Por ka para së gjithash rikthimin e parave të shqiptarëve, tek qytetarët.

Miqtë e mi!

Sot, ju, secili prej jush, edhe ai që punon dhe ai që nuk punon, edhe ai që ka biznes, edhe ai që ka makinë dhe ai që nuk ka makinë, çdo njëri, edhe fëmija i sapo lindur dhe i moshuari, paguani taksat më të rënda kësaj qeverie.

Dhe në rast se sot ne kemi 21% të familjeve në këtë vend që nuk ushqejnë dot me 3 vakte ushqim fëmijët e tyre.

Në rast se sot kemi qindra e mijëra pensionistë që nuk blejnë dot ilaçet e tyre.

Në rast se sot kemi çdo ditë, qindra të rinj, që kanë alternativë të vetme, largimin nga Shqipëria, të gjitha këto kanë vetëm një shkak: Përvetësimin, vjedhjen e taksave tuaja, nga regjimi i Edi Ramës, nga Edi Rama, ministrat dhe zyrtarët e tij.

Ndaj dhe unë jam sot para jush për të dhë ju fjalën se, ne në 100 ditët e para do të realizojmë atë ndryshim të cilin nuk e ka menduar ndonjëherë, ndonjë njeri këtu.

Në 100 ditët e para miqtë e mi, ne do të vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist.

Për çdo qytetar në ndihmë ekonomike, për çdo të papunë, për çdo jetim, që ka vetëm një prind, për çdo student me bursë dhe me këtë shumë ne garantojmë për këta qytetarë që numërojnë kafshatën 6.3 euro në ditë, pak është, por mjerim nuk është.

Me këtë tregues ne barazojmë veten tonë, me vende të tjera të cilat nuk pranojnë që qytetarët e tyre të jenë në mjerim.

Me këtë shumë ne bëjmë Shqipërinë më të drejtë, shoqërinë tonë më të drejtë dhe japim pra një frymëmarrje të re.

Do t’i japim një frymë të re Shqipërisë. Do të kemi kartën e konsumatorit për pensionistët, 20% më lirë do t’i blejmë ushqimet.

Tre muaj më parë Edi Rama tha se po ndodhin krime në spitalin Onkologjik. Por ai nuk mori asnjë masë të vetme, sepse është autori i këtij krimi. Sepse ai i vodhi vetë me bashkëpunëtorët e tij. Ne do të dyfishojmë buxhetin për shëndetësisë” – u shpreh Berisha.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button