Kuvendi seancë plenare/ Përzgjidhen sot 11 anëtarët dhe kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, çfarë pritet të ndodhë

Kuvendi do të mblihdet edhe këtë të hënë në seancë plenare. Seanca pritet të nisë rreth orës 10:00 dhe në rend dite janë parashikuar 25 pika për diskutim.
Një ndër pikat është edhe përzgjedhja dhe votimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së me 10 kandidaturat që u kaluan javën e kaluar nga Komisioni i mediave pas dëgjesës së mbajtur, si dhe përzgjedhja e kryetarit të Këshillit.
Më 11 mars Komisoni ka përzgjedhur 2 emra kandidatë: Helidon Haliti ose Fatjon Hoxhalli që garojnë për kryetar të Këshillit Drejtues të RTSH. Kuvendi kishte shkarkuar Këshillin Drejtues të RTSH-së pas shkeljeve të shumta të gjetura në procedurat e garës për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së.
Gjithashtu në rend dite është edhe votimi për anëtarët e Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri. Do të diskutohet dhe votohet për projektligjin për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, nismë kjo e qeverisë shqiptare, për t’i ardhur në ndihmë bujqësisë dhe fermerëve. Gjithashtu pritet të diskutohet edhe për strukturën dhe organikën e INSTAT-it.