Genta Vangjeli: 11 maji ditë zgjedhjesh, të negociohen data të reja për zhvillimin e ‘Giro d’Italia’ në Shqipëri

Përmes zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, Partia Demokratike, ka kërkuar ndryshim të datave për zhvillimin e edicionit të 108-të të ‘Giro d’Italia’ në Shqipëri.
Kjo kërkesë vjen pasi ngjarja, që do të zhvillohet në muajin maj, përkon me datën e zgjedhjeve parlamentare më 11 maj, ditë kur struktura shtetërore duhet të jetë e angazhuar plotësisht në sigurinë dhe mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.
PD theksoi se zhvillimi i këtij eventi në këtë datë mund të krijojë vështirësi, duke kërkuar që të negociohen data të reja për garën e çiklizmit.
Deklarata:
Edicioni i 108 i ‘Giro d’Italia’ që do të zhvillohet në Shqipëri në Maj i kushton vendit tonë 7 milionë euro dhe do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit.
Më herët është alokuar fondi 1 milion euro për organizatorët , ndërsa në datën 6 Mars me anë të VKM nr.147 u miratua fondi 4 milion euro për financimin e këstit të dytë të kontratës për realizimin e tri tureve të para të ‘Giro d’Italia 2025’ dhe diferenca pritet të akordohet në vijim. Itinerari i eventit përfshin qytetin e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës nis në datën 9 Maj, e vijon në datat 10 dhe 11 Maj, kjo e fundit ditë që përkon me datën e dekretuar nga Presidenti për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.
Në kuadër të zhvillimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm për shqiptarët, data 11 Maj është e papërshtatshme për zhvillimin e garave të çiklizmit.
Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon të negociohen data të reja për zhvillimin e këtij eventi duke qenë se strukturat mbështetëse të këtij eventi kulturor ku përfshihet edhe Policia e Shtetit duhet të jenë në gatishmëri të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.