Ngarkimi i dokumenteve në kamion, reagon Bashkia Tiranë: Po spekulohet, jemi duke I transferuar në Arkivë

Videoja e shpërndarë gjatë mëngjesit të sotëm në rrjetet sociale teksa ngarkohen dokumente nga Bashkia e Tiranës në një kamion ka bërë xhiron e rrjetit duke nxitur edhe dyshime e reagime për shkak të arrestimit të kryebashkiakut Veliaj nga SPAK.
Gjithçka ndodh teksa një ditë më parë nga njëri prej oxhakëve të Bashkisë Tiranë doli tym i zi duke ngjallur po ashtu komente mbi çfarë po digjej.
Sigurisht në këtë kontekst çdo hyrje-dalje në këtë godinë ngjall interes. Në një reagim për mediat, zyra e shtypit të Bashkisë Tiranë bëri me dije se bëhet fjalë për një transferim rutinë të dokumentacionit drejt Arkivës dhe se pretendimet në rrjetet sociale nuk janë të vërteta.
“Lajmet e shpërndara dhe ajo çfarë thotë Berisha nuk janë të vërteta. Po bëhet një transferim i dokumentacionit në Arkivën e Bashkisë së Tiranë”.
Veliaj u arrestua nga SPAK me akuzën e korrupsionit dhe ndodhet në qeli, ndërsa bashkëshortja e tij Ajola Xoxa ka masë sigurie “detyrim paraqitje”. /albeu.com