Trump: Nëse Elon Musk do të blejë TikTok-un e mirëpres këtë vendim pozitiv
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, tha se ishte i hapur ndaj idesë që miliarderi i teknologjisë Elon Musk të blejë TikTok-un.
“Unë do të isha i hapur, nëse ai (Musk) do të donte të blinte”, u tha Trump gazetarëve në dhomën Roosevelt në Shtëpinë e Bardhë në ditën e parë të plotë të mandatit të tij të dytë, kur u pyet nëse ai është i hapur që Musk të blejë aplikacionin.
Trump tha se u takua me pronarët e TikTok-ut.
“Ajo që po mendoj t’i them dikujt është ta blej atë (TikTok-un) dhe t’ia japë gjysmën Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjysmën, dhe ne do t’ju japim leje. Dhe ata do të kenë një partner të madh, Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
“Pra, ajo që po them është, SHBA të jep lejen dhe SHBA duhet të merr gjysmën. Tingëllon e arsyeshme”, shtoi ai.
Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën në një përpjekje për të shtyrë ndalimin e aplikacionit për 75 ditë.
Në urdhrin e nënshkruar nga Trump citohet një rezolutë që mbron sigurinë kombëtare, duke u përpjekur për të shpëtuar një platformë të përdorur nga 170 milionë amerikanë.
“Unë mendoj se SHBA duhet të ketë të drejtë të marrë gjysmën e TikTok-ut”, u tha ai gazetarëve teksa nënshkroi urdhra ekzekutivë pasi u kthye në Zyrën Ovale. Ai tha se TikTok mund të vlejë një trilion dollarë.
“Në thelb me TikTok-un, unë kam të drejtë ta shes ose ta mbyll, dhe ne do të vendosim dhe ndoshta do të na duhet të marrim një miratim edhe nga Kina”, tha ai.
Trump tha gjithashtu se administrata e tij do të punojë për “një sipërmarrje të përbashkët” midis SHBA-së dhe kompanive të tjera të cila nuk i zbuloi.
“Unë mendoj se ju keni shumë njerëz që do të ishin të interesuar për TikTok-un, me Shtetet e Bashkuara si partner”, shtoi ai.
Të premten, Gjykata e Lartë e SHBA-së miratoi një ligj që do të ndalonte TikTok-un nëse kompania e saj mëmë me bazë në Kinë, ByteDance, nuk pranon investime tjera për aplikacionin.
Pasi ishte jofunksional më herët të dielën, TikTok njoftoi se ishte në proces të rivendosjes së shërbimeve për përdoruesit e tij amerikanë pas garancive nga Trump.