Mungesa e mjekëve dhe problemet në infrastrukturën spitalore, “hall” i përbashkët në Dibër të Shqipërisë dhe në Maqedoninë e Veriut
Mungesa e mjekëve në spitalet e bashkive të Dibrës vazhdon të mbetet një problematikë e pazgjidhur për sistemin shëndetësor, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Dibër të Maqedonisë së Veriut. Ky fenomen i përbashkët ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve mjekësore dhe ka krijuar një barrë të rëndë për pacientët, të cilët shpesh nuk kanë mundësi të marrin në kohë kujdesin shëndetësor.
Në spitale ka mungesë të theksuar mjekësh specialistë, por problem po vazhdon të jetë edhe mungesa e mjekëve të familjes dhe infermierëve në zonat malore. Gjithashtu një sfidë tjetër për spitalet në të dyja anët e kufirit, vazhdon të mbetet edhe infrastruktura e vjetruar.
Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore në Dibër të Maqedonisë së Veriut, numri i pacientëve nga Shqipëria që kërkojnë trajtim mjekësor në këtë qytet ka shënuar një rritje të ndjeshme ndër vite. Ky fenomen për shkak të afërsisë gjeografike të Dibrës me kufirin, si dhe aksesit të lehtë në Spitalin e Përgjithshëm dhe institucionet private shëndetësore.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Dibrës, pacientët nga Shqipëria janë të pranishëm pothuajse çdo ditë. Shumica e tyre vijnë nga fshatrat kufitare si Allajbegi, Maqellarë, Trebisht, Vojnikë, Pocestë dhe Tuçep, por nuk mungojnë as pacientë nga qytete si Peshkopia, Burreli dhe Bulqiza.
Ortopedi, Ismailaki Klenja, tregon se çdo muaj, trajton mesatarisht rreth 20 pacientë nga Shqipëria. “Pacientët kanë probleme të ndryshme shëndetësore dhe zgjedhin Dibrën për shkak të afërsisë. Ata janë shumë të kënaqur me cilësinë e trajtimit.” u shpreh dr. Klenja.
Në pavionin e pediatrisë të themeluar nga dr. Ylber Kokale dhe dr. Arben Agolli, çdo muaj trajtohen mesatarisht 100 fëmijë nga zonat kufitare të Shqipërisë. Dr. Kokale thekson se pavioni ka tashmë pacientë të rregullt nga Shqipëria. “Afërsia është komponenti kryesor që i motivojnë prindërit të sjellin fëmijët e tyre në Dibër,” u shpreh ai. Gjatë vizitës, takuam disa prindër nga familjet Gjoni, Kosiqi dhe Skënderi, të cilët kishin sjellë fëmijët për shkak të virozave sezonale.
“Për 20 minuta jemi në Dibër, ndërsa për të shkuar në spitalin e Peshkopisë na duhen mbi 40 minuta.” tha njëri prej tyre.
Edhe pavioni i gjinekologjisë në Dibër ka paciente shqiptare. Dr. Argëtim Fida shprehet se ka paciente të rregullta që ndjekin kontrollet gjinekologjike dhe shtatzëninë. “Janë kryesisht gra nga familje me standarde të larta ekonomike,” tha dr. Fida.
Mjekia gjinekologe, Edlira Piperku thekson gjithashtu se çdo javë trajton disa paciente nga Shqipëria. “Afërsia dhe profesionalizmi i mjekëve të Dibrës janë arsyeja kryesore pse shumë gra zgjedhin shërbimet tona,” u shpreh ajo.
Spitali në Dibër të Maqedonisë së Veriut, vazhdon të përballet me mungesën e mjekëve specialistë
Vitet e fundit, spitali i Dibrës ka përfituar nga projekte të ndryshme për efikasitet energjetik dhe pajisje moderne falë kontributit të institucioneve shtetërore dhe donatorëve privatë, përfshirë diasporën. Ndërhyrjet përfshijnë fasadën e re, zëvendësimin e dritareve, dhe sigurimin e aparaturave si urinometra, oksimetra dhe krevate automatike. Por pavarësisht këtyre investimeve, mungesa e mjekëve specialistë, si ortopedë, anesteziologë dhe transfuzionistë, e bën të vështirë ofrimin e shërbimeve bazë.
Aktualisht, spitali ka vetëm 14 mjekë specialistë për një gamë të gjerë shërbimesh, ndërsa nevoja për të tjerë mbetet kritike. Drejtori i spitalit, Mersim Koleci, thekson se disa mjekë specialistë pritet të dalin në pension në vitin 2025, duke thelluar krizën. Ndërkohë, 13 mjekë janë në proces specializimi, por numri nuk është i mjaftueshëm për të plotësuar boshllëkun ekzistues.
Një nga arsyet kryesore për mungesën e mjekëve është emigrimi i tyre drejt vendeve të Evropës Perëndimore, veçanërisht Gjermanisë. Kjo situatë ka bërë që shumë qytetarë dibranë të kërkojnë shërbime shëndetësore në spitalet e Strugës, Ohrit dhe Shkupit. “Spitalin e kemi, por mjekë nuk kemi,” thotë një banor i moshuar, duke përmbledhur shqetësimin e përhapur në komunitet.
Ndërsa spitali pret të punësojë 10 mjekë të rinj vitin e ardhshëm dhe të dërgojë një pjesë të tyre për specializim, qytetarët mbeten skeptikë. Përmirësimet infrastrukturore janë të mirëpritura, por ato nuk e zëvendësojnë nevojën urgjente për personel të kualifikuar. “Nëse nuk adresohen këto mangësi, Dibra rrezikon të mbetet edhe pa mjekët e përgjithshëm,” shton drejtori Koleci.
Spitalet e Matit, Dibrës dhe Bulqizës në Shqipëri përballen me probleme serioze – kushte dhe personel mjekësor – që pasqyrojnë gjendjen e përgjithshme të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Këto spitale, që shërbejnë si pika kyçe për komunitetet e tyre, shpesh janë të mbingarkuara, duke u kufizuar kryesisht në ofrimin e ndihmës së parë dhe trajtimit bazë. Problemi rëndohet edhe më shumë nga largimi i vazhdueshëm i personelit mjekësor, një fenomen që ka krijuar boshllëqe kritike në këto institucione.
Spitali Rajonal Dibër
Spitali Rajonal Dibër, në përgjigje të një kërkese për informacion thekson se situata aktuale lidhur me personelin dhe pajisjet mjekësore është përgjithësisht e mirë, megjithëse me disa mungesa specifike. “Në dy vitet e fundit, spitali ka rekrutuar vazhdimisht staf mjekësor për të plotësuar nevojat, duke siguruar që shërbimet të mos ndërpriten. Aktualisht, mungesa e vetme në staf është një mjek dermatolog/alergolog, ndërsa për rekrutimin dhe mbajtjen e personelit, vështirësitë janë të kufizuara, përveç preferencës së mjekëve specialistë për të punuar pranë spitaleve universitare.” – Thuhet në shkresën e Spitali Rajonal Dibër.
Në lidhje me pajisjet mjekësore, spitali raportoi mungesën e një rezonance magnetike dhe nevojën për disa pajisje shtesë, si një aparat ECHO, dy aparate EKG dhe dy pajisje Holter ritmi, të cilat do të kontribuonin në përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve diagnostikuese. “Gjithsesi, infrastruktura aktuale e spitalit konsiderohet e përshtatshme, dhe përmirësime të mëdha priten nga ndërtimi i Poliklinikës së re të specialiteteve dhe rikonstruksioni i godinës qendrore, i cili është në proces.”, Thuhet në shkresën e Spitali Rajonal Dibër.
Edhe pse një spital me rëndësi rajonale për bashkitë e qarkut Dibër, në shkresën e Spitalit Rajonal Dibër thuhet se ka marrë si donacion, një aparat anestezie nga Spitali i Kavajës dhe një autoambulancë nga organizata “Islamic Relief”. Për të adresuar nevojat dhe për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimeve, spitali sugjeron krijimin e mundësive për pajisjen me aparatura shtesë diagnostikuese dhe terapeutike.
Mat
Spitali Bashkiak Mat ka një rëndësi të madhe për ofrimin e kujdesit shëndetësor për një zonë të gjerë dhe të sfiduar nga terreni. Ky spital është pikë referimi për dy bashki, Mat dhe Klos. Aktualisht, spitali përballet me mungesë të mjekëve specialistë si O.R.L. dhe okulistë, ndërsa në sektorin mbështetës, nga spitali thuhet se ka 10 vende vakante për infermierë, teknikë laboratori, mami dhe laborantë rontgeni.
Spitali Bashkiak Mat, në përgjigje të një kërkese për informacion thekson se kushtet e punës konsiderohen të mira, por rikonstruksioni i godinës kryesore ka sjellë sfida operacionale, pasi disa shërbime janë bashkuar përkohësisht. “Në aspektin e pajisjeve mjekësore, spitali përballet me mungesa të konsiderueshme. Pajisje thelbësore si skaneri, rezonanca magnetike dhe skopia televizive mungojnë, duke detyruar shpesh transferimin e pacientëve drejt spitaleve rajonale ose terciare. Ndërsa pajisjet ekzistuese janë funksionale, ato nuk janë bashkëkohore dhe nuk arrijnë të përmbushin plotësisht standardet moderne të kujdesit.” Thuhet në shkresën e Spitalit Bashkiak Mat.
Terreni i vështirë dhe sipërfaqja e madhe që mbulohet nga shërbimi i urgjencës përbëjnë sfida të vazhdueshme për ekipet mjekësore. “Mungesa e autoambulancave shton një tjetër pengesë në këtë drejtim, duke ndikuar në efikasitetin e transportit të pacientëve në kushte të vështira.”, thuhet në shkresën e Spitalit Bashkiak Mat.
Në Mat, spitali ka përfituar nga bashkëpunime me institucione dhe organizata vendase, por edhe ndërkombëtare, të cilat kanë sjellë donacione të konsiderueshme, përfshirë paisje mjekësore dhe autoambulancë.
Bulqizë
Spitali i Bulqizës, prej vitesh përballet me mungesën e mjekëve specialistë, ku më kryesorja është reparti i Kirurgjisë, pasi aksidentet në sektorin minerar janë të shumta dhe një mjek i një specialiteti të tillë është i domosdoshëm.
Aktualisht për rastet urgjente, ndihma e parë jepet nga stafi i spitalit. Ndërsa rastet e rënda nisen për në drejtim të Peshkopisë dhe Tiranës. Spitalet e bashkive Mat, Klos dhe Bulqizë, kanë pasur në vijimësi “hemorragji” të mjekëve dhe specialistëve që largohen për të punuar kryesisht në Tiranë, por edhe jashtë vendit. Aktualisht në spitalin e Bulqizës mungojnë një sërë mjekësh specialistë. Sipas publikimeve në platformën qeveritare “Mjekë për Shqipërinë,” Spitali Bashkiak Bulqizë ka shpallur vende vakante për tre pozicione kyçe në shërbimin shëndetësor: Mjek Kirurg Definitiv, Mjek Obstetër-Gjinekolog dhe Mjek Urgjence.
Spitali Bashkiak Bulqizë, në përgjigje të një kërkese për informacion – sjellë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – deklaron se nuk ka mungesa në pajisje mjekësore. Por situata është ndryshe, ku mungojnë një sërë pajisjesh si dhe nga ato më elementaret. Që nga viti 2016-të është mbyllur edhe materniteteti, si pasojë e mungesës së mjekëve dhe rënies drastike të popullsisë. “Spitali i Bulqizës si Spital Bashkiak në kuadër të Planit Kombëtar Spitalor do t’i nënshtrohet një transformimi në lidhje me shërbimin obsetrik – gjinekologjik që do të kthehet në njësi komunitare të lindjes deri në vitin 2028.” thuhet në shkresën e Ministrisë së Shëndetësisë. Çështja problematike në zonën e Bulqizës, mbetet edhe mungesa e mjekëve të familjes dhe infermierëve në zonat malore.
Kriza e largimit të mjekëve dhe Infermierëve, një këmbanë alarmimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Largimi masiv i mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria ka marrë përmasat e një krize kombëtare, duke kërcënuar funksionimin e sistemit shëndetësor. Spitalet bashkiake janë kthyer në qendra që ofrojnë vetëm ndihmën e parë, duke transferuar ngarkesën tek spitalet rajonale dhe universitare, të cilat tashmë janë të mbingarkuara. Përballë mungesës së theksuar të mjekëve specialistë, Shqipëria është detyruar të mbajë në punë mjekë të dalë në pension prej vitesh, një masë që tregon përmasat e emergjencës.
Problemi nuk kufizohet vetëm tek mjekët. Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë raportoi se në tre vitet e fundit janë larguar rreth 16 mijë infermierë nga vendi. Një hulumtim nga Qendra për Hulumtime Ekonomike dhe Sociale në fund të vitit të kaluar zbuloi se 92% e studentëve të mjekësisë planifikojnë të emigrojnë, duke renditur si arsyet kryesore kushtet e këqija të punës, mungesën e pajisjeve diagnostikuese dhe numrin e lartë të dënimeve për mjekë për frymë. Gjermania mbetet destinacioni më i preferuar, për shkak të pagave konkurruese dhe kushteve të mira të punës.
Kjo situatë reflekton një fenomen më të gjerë rajonal. Në Maqedoninë e Veriut, largimi i personelit mjekësor ka qenë një problem i vazhdueshëm. Për shkak të kushteve më të mira në sektorin privat dhe jashtë vendit, gjithnjë e më shumë mjekë dhe infermierë po lënë sistemin publik. Sllovenia, së fundmi, ka dalë si një destinacion tërheqës për stafin mjekësor maqedonas. Shoqëria Mjekësore Maqedonase raportoi se në një dekadë janë larguar rreth 2.000 mjekë, ndërsa numri aktual i mjekëve të licencuar është afro 9.500, nga të cilët 2.500 janë mbi moshën 61 vjeç. Partishmëria dhe nepotizmi janë identifikuar si faktorë shtesë që i detyrojnë profesionistët të braktisin vendin.
Ekspertët vlerësojnë se përgatitja e një mjeku kërkon rreth 20 vite, duke thelluar shqetësimin për humbjen e profesionistëve të kualifikuar.
Ndërkohë, Shqipëria përballet me një situatë më të rëndë për shkak të numrit të ulët të mjekëve për banorë dhe nivelit të ulët të financimeve publike për shëndetësinë. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria shpenzon vetëm 3.2% të PBB-së për shëndetësinë, shumë më pak se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Serbia me 5% apo mesataren e BE-së prej 8.1%. Përveç kësaj, qytetarët mbulojnë një pjesë të madhe të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i tyre. Sipas të dhënave të fundit, një shqiptar shpenzon mesatarisht 460 USD në vit, një barrë e rëndë për një vend me nivel të lartë varfërie.