Policia gjermane plagos një person me sëpatë pranë tifozëve holandezë (VIDEO)
Një operacion i madh nga policia po zhvillohet në qendër të qytetit gjerman të Hamburgut pasi një burrë me sëpatë në dorë kërcënoi oficerët e policisë.
Policia tha se e ka qëlluar dhe plagosur rëndë këtë person, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital.
Holanda luajti me Poloninë këtë qytet pasditen e së dielës. Në një deklaratë fillestare nga policia gjermane thuhet se një burrë ka kërcënuar efektivët e policisë me sëpatë dhe një “pajisje ndezëse”.
Më vonë, një zëdhënës i policisë së Hamburgut i tha BBC-së se i dyshuari ishte i armatosur me një tip sëpate dhe kishte tentuar të ndezte një bombë me benzinë, por oficerët iu përgjigjën duke e neutralizuar me sprej me piper dhe më pas e qëlluan me armë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 me orën lokale.
Në pamjet video të postuara në internet tregohet një burrë duke mbajtur një sëpatë para oficerëve të policisë përpara se të dëgjohet një seri të shtënash. Burri nuk është identifikuar nga policia dhe autoritetet nuk kanë komentuar se cilat motive e shtynë atë të ndërmerrte aktin.
Ka rreth 30 mijë tifozë holandezë në qytet, dhe ndoshta një numër i përafërt polakësh. Duket se ka një atmosferë të mirë përpara ndeshjes, e cila në dukje nuk është prekur nga incidenti. ©LAPSI.al
Huazuar nga Lapsi.al