
Viti që po lëmë pas ka pasur dritëhijet e veta, të cilat vijnë si një linjë politike, ekonomike dhe sociale nga tranzicioni i stërzgjatur i Maqedonisë së Veriut, por edhe nga dy kriza të mëdha të nivelit global, siç është lufta në Ukrainë, gjegjësisht agresioni rus mbi shtetin e pavarur të Ukrainës dhe kriza energjetike që la shumë pasoja për jetën e gjithë qytetarëve. Sigurisht, secili shtet në një kontekst të këtillë ka pasur përpëlitjet e veta për ta rimarrë veten, por edhe për të krijuar strategji për mbrojtjen e mirëqenies së qytetarëve në suaza të një turbulence globale
Xhenur ISENI
Në vitin 2023 në Maqedoninë e Veriut, kanë ndodhur shumë zhvillime politike të cilat kanë lënë nën hije zhvillimet tjera nga sfera e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe fushave tjera. Për të veçuar zhvillimet që kanë lënë gjurmë në politikën e vendit në vitin që po e lëmë pas, është paksa e vështirë sepse dominojnë zhvillimet me impakt negativ. Qeveria e drejtuar nga Kovaçevski ka qenë e brishtë për shkak të numrit jo të deputetëve dhe pakënaqësisë së partnerëve të koalicionit qeveritar. Në fillim të vitit edhe kjo qeveri vazhdoi lojën me largimin e njërit partner dhe ofrimin e tjetrit duke shkaktuar krizë qeveritare dhe duke prishur ekuilibrat politik. Largimi i Alternativës nga qeveria dhe zëvendësimi i saj me partinë tjetër shqiptare Aleanca për Shqiptarët, e cila ishte në koalicion me Alternativën shkaktoi reagime të ashpra në opinion sepse ASH nga kundërshtari më i madh i LSDM-së dhe BDI, u bë shpëtimtari i vetëm i kësaj qeverie.
Pra ky ishte sinjali i parë që ndasitë brenda bllokut politik shqiptar të thellohen edhe më tepër në kohën kur në partinë e Ahmetit BDI kishin nisur fraksionet e para të cilët çuan në shkëputjen e tre deputetëve të kësaj partie. Shumë shpejt nisin Frontin Evropian që ende po mbetet si një retorikë e pushtetit për të çuar vendin drejt Bashkimit Evropian. Loja politike vazhdoi edhe më pas me krijimin e partive të reja politike sidomos një bllokun shqiptar duke çuar kështu numrin aq sa ka edhe një skuadër futbolli.
Ndërkaq, në fillimin e vitit të ardhshëm, Maqedonia do ta ketë edhe kryeministrin e parë shqiptarë, Talat Xhaferi i nominuari i BDI-së për qeverinë teknike që do t’i përgatitë zgjedhjet e parlamentare të 8 majit.
POLITIKA E JASHTME
Gjithsesi vitin e ka përshkruar edhe debati nganjëherë i fortë mbi ndryshimet kushtetuese, të cilat mbeten parakusht për hapjen e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së për të vazhduar rruga e nisur e integrimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në klubin evropian, që realisht mbetet alternative e vetme për gjithë qytetarët e vendit. Gjithashtu, në sinkron me ndryshimet e domosdoshme kushtetuese dhe më gjithë planimetrinë evropiane është edhe procesi i screening-ut, ndërsa në një nivel tjetër është edhe mbajtja e Samitit të OSBE-së në Shkup, një ngjarje e rrallë për Maqedoninë e Veriut.
“Mendoj se fokusi i politikës së jashtme në luftën e Ukrainës ishte i tepërt pasi ne jemi një vend i vogël dhe ndikimi i Maqedonisë së Veriut në këtë aspekt karshi shteteve të fuqishme është i vogël dhe pa ndonjë shtytje”, thotë analisti politik Berat Azizi. Por drejtimi i OSBE nga ana e ministrit Osmani në aspektin politiko-diplomatik i dha vendit një kartë plus në dorë ndoshta ne nuk ditëm ta përdorin si duhet dh eta kthejmë në favorin e vendit tonë në politikën e jashtë. Bisedimet për të filluar inkuadrimin në Bashkimin Evropian dështuan edhe këtë vit për shkak se qeveria nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për ndryshimet kushtetuese. VMRO ishte haptas kundër përfshirjes së gjuhës bullgare në Kushtetutë ndërsa partitë opozitare shqiptare kërkonin heqjen edhe të 20 përqindëshit. Kontradiktat dhe paqartësitë për të nisur bisedimet me BE qeveria nuk arriti t’i artikulojë para opinionit dhe opozitës për ta bindur atë se ne mund të jemi pjesë e BE-së, në kohën kur shumë shtete tjera janë një hap para.
“Njollë e zezë në politikë mbetet shpallja e personave non grata nga DASH, ku bëjnë pjesë biznesmen, kryetari aktual i komunës së Strugës Ramiz Merko dhe shumë emra tjerë që kanë patur një rol kyç në politikën e vendit. Poashtu do të përmendja edhe refuzimin e disa emrave të propozuar për ambasador në disa vende është një çështje e cila edhe pse nuk u diskutua në qarqet politike, por meriton vëmendje sepse ka të bëjë me shtetin dhe përfaqësimin e qytetarëve të atij shteti”, shprehet Azizi.
KORRUPSIONI DHE DREJTËSIA
Në vitin 2023, sipas gjitha raporteve ndërkombëtare dështimi më madh sërish mbetet në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe sistemit të drejtësisë. Sistemi gjyqësor mbetet institucion me shkallën më të ulët të besimit te qytetarët, ndërsa shumë zyrtar politik që akuzoheshin për korrupsion dhe krim u liruan nga aktakuzat dhe u lanë të lirë e gjithë kjo në emër të Ligjit me flamur evropian. “Mendoj se këtu është bërë një lëshim shumë I madh dhe reagimet evropiane dhe amerikane kanë qenë më vend ndoshta pak të buta krahas skemave korruptive. Në anën tjetër shumë qytetar shqiptar vazhdojnë të mbeten në burg po nga ky sistem I drejtësisë që I la të mbrohen në liri madje edhe i fshiu nga lista e të akuzuarve shumë zyrtarë politik dhe shtetëror. Rasti Alfa, Monstra, Burhanedin Nuhija, Vanja dhe shumë raste tjera vetëm sa kanë lëvizur nga një derë e gjykatës në tjetrën pa dhënë ndonjë epilog përfundimtar. Mendoj se kritika e ambasadores amerikane Ageler është shumë e qëlluar por mungon realizimi”, shprehet ai.
EKONOMIA
Në fushën e ekonomisë edhe viti 2023 nuk ka qenë i mirë edhe përkundër rritjes së pagës mesatare e cila bie nën hije për shkak të rritjes enorme të çmimeve, kurse rritja e pagave të ministrave dhe qeveritareve prej 78 për qind në kohë krize ka qenë kulmi I hipokrizisë politike-ekonomike të shtetit. Jostabiliteti politik në shtet prodhon edhe jostabilitet ekonomik dhe si rezultat I politikave dështuese të qeverisë për të hapur vende të reja të punës ka bërë që ikja e të rinjve dhe njerëzve profesionist drejt vendeve të BE-së të shënojë rekord. Zyrtarisht shifrat janë alarmante, por këto shifra lëvizin për çdo ditë. “Qeveria nuk arriti brenda këtij viti të krijojë politika koherente nëpërmjet të cilave do të mbrohej mirëqenia e qytetarëve dhe në të njëjtën kohë të krijonte një strategji afatgjatë riparimesh të politikave institucionale që do të mundësonin një ringritje të qytetarëve në dinjitetin e tyre. Mendoj se gjithë viti 2023 ka kaluar në shenjë të menaxhimit të pasojave të krizës dhe kjo dëshmohet edhe me mesat e fundit nga ana e qeverisë, të cilat duhet pritur se çfarë rezultatesh do të sjellin. Konteksti ekonomik duket se gjatë vitit që po lëmë pas ka dominuar përballë politikës në kuptimin e parë, e cila sigurisht edhe gjatë këtij viti ka shënuar përplasje të zakonshme pushtet-opozitë, por edhe rirreshtime politike që vijnë në funksion të konsolidimit të jetës demokratike dhe politike përgjithësisht”, thotë Bardhyl Zaimi, analist.
PRITJET PËR VITIN 2024
Meqë 2024 do të jetë një vit zgjedhor, analistët thonë se subjektet politike, por edhe aktorë të tjerë të jetës shoqërore, të hapin një debat të gjerë mbi shumë problem të shtresuara, të cilat shfaqen si pengesë në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt vlerave dhe standardeve evropiane. “Lufta kundër korrupsionit, zbatimi i shtetit ligjor, përbrendësimi i standardeve evropiane dhe pa diskutim çështja e ndryshimeve të domosdoshme kushtetuese duhet të jenë pjesë e padiskutueshme e platformave politike në konkurrimin demokratik dhe në vizionin për të kultivuar një progres të qëndrueshëm evropian të Maqedonisë së Veriut. Pres fuqizim të zërit të qytetarëve ndaj defekteve të shumta institucionale dhe shoqërore, ndaj gjithë atyre shtresimeve që pamundësojnë një zhvillim normal institucional dhe shoqëror. Sigurisht, pres që të dominojnë vizione politike që e kuptojnë rëndësinë e orientimit dhe të kthesës së domosdoshme që ndërlidhet me integrimet evropiane, në gjithë pluralitetin politik dhe shoqëror, sepse e ardhmja evropiane mbetet një vizion kuptimplotë për mirëqenien e gjithë qytetarëve. Pres që pavarësisht nga betejat politike, nga përkatësitë e ndryshme ideologjike, të ruhet dhe të kultivohet ideja evropiane, e cila krijon kohezion qytetar dhe mban të ekuilibruara raportet ndëretnike, të cilat në çfarëdo matrice tjetër të supozuar rrezikohen”, shprehet Bardhyl Zaimi.
Ndërkaq, Berat Azizi vlerëson se në aspektin politik viti 2024 do na prodhojë shumë risi edhe në përbërjen e parlamentit edhe në atë të presidencës.
“Ndryshime politike do të ketë por kush do të formojë qeverinë ende nuk mund të parashikojmë. Anketat e fundit i japin një përparësi partive opozitare, por në një vend si Maqedonia e Veriut gjithçka mund të ndodh. Nuk pres ndonjë çudi në vitin 2024, për shkak se pothuajse 30 vite ne vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar në rajon dhe kjo nuk nënkupton vetëm politikën por jemi shteti i vetëm që nuk kemi lidhje autostrade me vendet fqinje ose hekurudhë ashtu siç e kanë vendet tjera të zhvilluara. Mendoj se zgjedhja e presidentit do të jetë një beteje mes dy partive politike maqedonase sepse shqiptarët nuk janë të interesuar për të patur president dhe nuk kanë fuqinë e votës. Jam skeptik për zhvillimet politike në vitin 2024, duke nisur nga gjithë ato premtime politike, dështime, mungesë e një vizioni politiko-diplomatik nga ana e partive politike. Do doja te theksoj se shumica që më akuzojnë për përhapjen e një energjie negative në vend tu them se energjinë negative e një shteti është sistemi gjyqësor, qeveria, deputetët, ministrat, drejtor sepse ato janë të zgjedhur nga populli”, shprehet ai.
Ndërkaq, për fund analisti politik Bardhyl Zaimi thotë që subjektet politike, por edhe gjithë aktorët tjerë shoqërorë, duhet të jenë në lartësinë e përgjegjësisë për të kultivuar normalitet politik dhe demokratik, si një parakusht për të mbindërtuar një paradigmë tjetër vlerash qytetare dhe kombëtare, që janë në përputhje të plotë me vlerat evropiane. “Sigurisht, meqë i takoj sferës së kulturës, pres më shumë jetë kulturore, më dinamike dhe më kualitative. Kultura mbetet ‘gramatika’ e jetës shoqërore dhe politike, prandaj ky dimension mbetet shumë i rëndësishëm për të krijuar një suazë ndryshimesh esenciale në shoqëri, për të krijuar një vektor zhvillimi dhe afirmimi që nënkupton dinjitetin e individit, por edhe kreativitetin e pjesëmarrjes në jetën demokratike. Pres që 2024 të hap një horizont tjetër angazhimesh që shkojnë përtej dëshpërimeve të vitit që po lëmë pas, që shkojnë përtej kakofonie dhe improvizimeve të deritashme. Pres vizion substancial vlerash, përbrendësim të standardeve evropiane, që mbeten parakusht për një shoqëri të zhvilluar dhe në lartësinë e dinjitetit njerëzor”, shprehet Bardhyl Zaimi, analist.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
The post 2024-ta e zgjedhjeve dhe e kryeministrit shqiptar! appeared first on KOHA.
Huazuar nga Koha.mk
