Aktualitet dhe Lajme

106 plumba në atentatin ndaj Gjergj Ndërshtiqajt, detajet e panjohura më parë

Share

Kjo datë duhet të ishte një ditë e zakonshme për Gjergj Ndërshtiqajn që kishte marrë leje nga Akademia e Policisë ku studionte për tu bërë oficer. Atë të marte, 30-vjeçari dhe familja e tij kishin hapur dyert për të pritur njerëzit me rastin e 1 vjetorit të ndarjes nga jeta të gjyshit.

Në mbrëmje, Gjergji së bashku me kunatin e tij, Gjon Leka marrin makinën e një miku dhe largohen nga lokali ku konsumuan kafe. Ata po shkonin drejt parkimit ku oficeri i policisë kishte parkuar veturën e tij.

Katër autorët e atentatit, të maskuar, ndoqën me makinën e tyre, mjetin ku udhëtonte polici për rreth 3 km. Në momentin që makina e oficerit ndalet, ky i fundit pasagjer, zbret dhe menjëherë vë re lëvizje të çuditshme në drejtim të tij.

Nga makina e atentatorëve zbresin 3 pasagjerët e maskuar që nisin furinë e plumbave të kallashnikovit në drejtim të Ndërshtiqajt dhe kunatit, Gjon Leka. Ky i fundit vrapon menjëherë sapo del nga makina, duke u shoqëruar nga breshëria e plumbave, ndërsa efektivi i ri i policisë fshihet pas makinës.

Furia e kallashnikovëve bën që automjeti të shpërthejë. Flaka largon atentatorët, ndërsa fatmirësisht Ndërshtiqaj dhe Leka arrijnë të mbijetojnë. 106 plumba u lëshuan në drejtim të dy të plagosurve.

Gjergj Ndërshtiqaj mori 3 plumba. Një në krah, një në gju dhe një në kofshë. 30-vjecari ka bërë dy operacione të rrezikshme. 3 proteza metalike dhe 21 vida janë vendosur në këmbën e tij të majtë, që dukshëm ka mbetur me pasoja. I riu ka qëndruar një muaj e gjysmë në regjim shtrati, 1 muaj e gjysmë me paterica, ndërkohë tashmë ecën me vështirësi. Gjon Leka mori dy plumba. 1 në këmbë dhe 1 në brinjë.

Objektivi i atentatit të marsit të 2024 dyshohet se ishte Gjergj Ndërshtiqaj për shkak të profesionit. I riu në vitin 2020 ka punuar si patrullë e përgjithshme. Nga maji i 2021 deri në vitin 2023 ka punuar si SPZ në zonën e Shoshit. Një prej aktiviteteve kryesore të punës së tij ishte zbulimi dhe asgjësimi i fushave me kanabis sativa. Një veprimtari shumë e përhapur dhe e njohur në zonë, por si duket i ka sjellë dhe konflikte policit të ri.

Nga viti 2023 ndiqte studimet e Akademisë së Policisë për oficer. Momentalisht, Prokuroria e Shkodrës vazhdon hetimet për atentatin ndaj Ndërshtiqajt, por nuk ka arritur të zbardhë autorët e ngjarjes.

Është regjistruar procedim penal, për veprën penale të parashikuar nga nenet 152 dhe 278 të Kodit Penal. Janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe aktualisht çështja është akoma në hetim./Top Channel




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button