100-vjetori i KLSH/ Gonzato: Të kontrollohen shpenzimet e fondeve publike, përfshirë ato të BE

Në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, vlerësoi rolin kyç të këtij institucioni në forcimin e mirëqeverisjes dhe transparencës në vend.
“Legjislacioni i BE kërkon që institucionet si KLSH të jenë të pavarura dhe të pajisura me burimet dhe mandatin e duhur për të ushtruar kontroll mbi të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e fondeve publike, përfshirë ato të Bashkimit Evropian dhe të donatorëve të tjerë. Çfarëdo ndryshime që do të bëhen duhet të jenë në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit dhe standardeve të BE”, tha Gonzato.
Sipas tij, angazhimi i KLSH për transparencë, si dhe roli i saj në parandalimin e mashtrimit, identifikimin e parregullsive në prokurimin publik dhe përmirësimin e kontrollit të brendshëm, është thelbësor për ndërtimin e një kulture llogaridhënieje në administratën publike.
“Nuk bëhet fjalë thjesht për ndryshimin e ligjeve apo për dhënien e rekomandimeve. Sfida kryesore është ndryshimi i mendësisë,” u shpreh Ambasadori, duke theksuar se “një KLSH e pavarur, e besueshme dhe efektive është një gur themeli për mirëqeverisjen dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Gonzato.