Zhvillohet për herë të parë MED 24 në Shqipëri/ Imzot Dodaj: Tirana këto ditë kryeqyteti i të rinjve të Mesdheut
Për herë të parë në Shqipëri, po zhvillohet takimi ndërkombëtar MED24 në Tiranë, një ngjarje e madhe që sjell së bashku të rinj dhe peshkopë nga mbi 25 vende të Mesdheut dhe Detit të Zi. Ky aktivitet i cili ka nisur sot dhe do të zgjasë 1 javë synon të promovojë dialogun ndërfetar, paqen dhe solidaritetin në një rajon të përballur me sfida të mëdha sociale dhe politike.
Shqipëria, një vend i njohur për harmoninë fetare dhe bashkëjetesën paqësore mes feve të ndryshme, është zgjedhur për të pritur këtë event historik, duke ofruar një model unik për bashkëpunim dhe mirëkuptim ndërkulturor.
Imzot Arjan Dodaj, në fjalën e tij shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për këtë nismë ndërkombëtare të rëndësishme si dhe për vlerat e mikpritjes së Shqipërisë.
“Të dashur të rinj, jemi shumë të lumtur që Tirana në këto ditë është kryeqyteti i të rinjve të Mesdheut. Qyteti ynë është një qytet i ri, i themeluar vetëm 100 vjet më parë, por veçanërisht në këto 30 vitet e fundit ka në vetvete një shpërthim në shpirtin e vet kozmopolit, të aftë për të shprehur me gjallërinë e vet mikpritjen për rininë dhe ndërmarrjen e shpirtit që gjithmonë e karakterizon në vetvete edhe Mesdheun. Në rrugët e ndryshme, bulevardet e Tiranës, është normale të takosh fytyra, të shohësh targa, të dëgjosh gjuhë prej çdo ane. Në veçorinë e vet ky qytet ka qenë i aftë t’i ofrojë një gjuhë shumë- formëshe, për pluralitetin e personave dhe kulturave që këtu takohen deri në pikën që në këtë kohë është bërë pikë referuese dhe në Ballkan për të realizuar atë që thotë Papa Francesku, që nga periferia kuptohet më mirë edhe qendra.“
Imzot Arjan Dodaj u ndal dhe në misionin kryesor të këtij takimi të 50 të rinjve në vendin tonë.
“Shtegtarë të shpresës, ndërtues të paqes”, kjo është tema që do të na shoqërojë në këto ditë. Sikurse e dini, takimi zhvillohet pak muaj nga hapja solemne e Jubileut, nga ku takimi ynë merr edhe frymëzimin e parë: “shtegtarë të shpresës”. Është në këtë ecje që futet edhe përvoja e këtyre ditëve: të ndërtojmë së bashku paqen. Të dashur të rinj, dëshira jonë është që të mund të shijojmë Shqipërinë si vend i një laboratori paqeje që dallohet për veçorinë e saj veçanërisht në përvojën ndërfetare.
MED24 Tirana është një thirrje për veprim dhe shpresë, duke synuar të forcojë lidhjet mes të rinjve dhe peshkopëve, ndërsa adreson sfidat dhe mundësitë për paqe në Mesdhe. Me mbështetjen e Papa Françeskut, ky takim synon të ndërtojë ura të reja dialogu dhe solidariteti ndërmjet popujve të rajonit.
Gjatë këtij eventi, pjesëmarrësit do të përfshihen në sesione pune, diskutime dhe vizita kulturore, duke eksploruar trashëgiminë historike dhe shpirtërore të Shqipërisë. Aktivitetet përfshijnë vizita në qytetin historik të Shkodrës, takime me liderë fetarë dhe politikë, si dhe një program të pasur shpirtëror e kulturor që përçon mesazhin e paqes dhe harmonisë.