Skandali me shitjen e diplomave, zbardhet dosja italiane: Ish-ministrja Evis Kushi joshej me dhurata për Krishtlindje
Në dosjen e prokurorisë italiane rezulton se drejtuesit e universitetit Wisdom shpërndanin dhurata rregullisht për drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, gjatë kohës kur ky institucion drejtohej nga Evis Kushi.
Ish-pedagogia e Elbasanit ishte pjesë e listës së miqve për t’u përkëdhelur me dhuratat e vitit të ri nga arkitektët e skemës së mashtrimit, të cilët përdornin akreditimin që u dha shteti shqiptar për të kapur në rrjetë qindra studentë italianë që paguanin mijëra euro për diplomat false.
Sipas dosjes së prokurorisë italiane, për vitin e ri, drejtuesit e universitetit Wisdom shpërndani dhurata për Evis Kushin si ministre e Arsimit, zëvëndësen e saj në ministri, shefen e kabinetit, zyrën e akredimit (që më parë e kishin dorovitur me një çantë Luis Vuitton) dhe për zyrën e matrikullimit.
Pasi kishin shpërndarë dhuratat në Ministrinë e Arsimit dhe në Ambasadën italiane në Tiranë, një prej të arrestuarve komunikon me të tjerët dhe e mbyll bisedën duke thënë “Në Shqipëri gjithçka në rregull”.
Me mbylljen e universitetit Wisdom janë zbuluar qindra viktima të skemës së mashtrimit që pajiseshin me diploma false në këmbim të pagesës që shkonte nga 6 deri në 20 mijë euro.
Në krye të skemës janë një çift të sapomartuarish, Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të dy administratorë të universitetit, që duke përfituar nga lidhjet në Shqipëri dhe në Itali, vendosen në krye të institucionit me premtimin se do ta shndërrojnë atë në qendër të mësimdhënies për studentët e ekselencës në të gjithë Ballkanin.
Të dy përfunduan pas hekurave në përfundim të operacionit të Guardia di Finanza kundër diplomave false.
Në qeli përfunduan edhe bashkëpuntorë të tyre, të gjithë italianë Maria Saveria Modaffari, Giada Fortunata Modaffari, Maria Ornella Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale dhe Maria M’Daraa. Përveç tyre, janë rreth tridhjetë të dyshuar si bashkëpuntorë në procedurat e pajisjes me diplomë kryesisht të studentëve italianë.
Në Shqipëri, përveç Universitetit Wisdom, çifti i italianëve ka edhe disa biznese të tjera, ndërsa në Itali Cianci dhe gruaja e tij janë aksionerë dhe drejtues të CS Consulting Group srl me seli në Foggia.
Huazuar nga skaproblem.al